Lajmet e fundit

Viktoria Nuland, ndihmëse për çështje të Evropës dhe Azisë të sekretarit të shtetit amerikan, John Kerry, në takimin e saj me Kryeparlamentarin, Kadri Veseli, duke folur për Gjykatën Speciale, ka thënë se Kosova duhet sa më shpejt ta mbyllë këtë kapitull që më pas vendi të ecë përpara.
Se kështu do të ndodhë, ajo mori sigurimin nga i pari i legjislativit.
Veseli theksoi se Republika e Kosovës do të kapërcejë këtë sfidë me përgjegjësi shtetërore në partneritet me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, transmeton Klan Kosova.
Në takim u theksua nevoja e ecjes përpara të shtetit të Kosovës, në integrimet euroatlantike dhe për këtë, amerikanja ofroi mbështetjen e plotë të SHBA-së.
Po ashtu, Nuland shprehu nevojën që shteti i Kosovës dhe lidershipi i saj politik të tregojnë mençuri dhe vendosmëri në ballafaqimin me sfidat integruese dhe zhvilluese të Kosovës, siç janë, përpos Gjykatës Speciale, edhe procesi i dialogut me Serbinë.
Ajo vlerësoi shumë Kosovën për rolin pozitiv në luftën kundër terrorizmit, derisa premtoi edhe në këtë rrafsh mbështetjen e qeverisë amerikane.