Lajmet e fundit

Nuk zbres, do vras veten”. Kjo është fraza të cilën për rreth pesë orë Dritan Petova ka shqiptuar me negociatorin e Policisë së Durrësit, ndërsa më pas, gati është bindur të dorëzohet i gjallë. Vendi është rrethuar nga RENEA, ndërsa ekspertët e negocimit i kanë thënë Petovës se gruaja dhe vjehrri i tij ishin gjallë dhe në spital.
Në fakt, ndërmjetësuesi ishte në tokë, ndërsa Dritan Petova gjendej në atë shtyllë që në orën 05.30 minuta, kohë kur kishte ekzekutuar në shtëpinë e tyre vjehrrin e tij, Ismet Leka, dhe bashkëshorten e vet, nënë të dy fëmijëve të tij, Zarën vetëm 35-vjeçare.
Dritani, i cili kishte marrë me vete, sipër në shtyllë, armën e krimit, një çifte që sipas të dhënave ishte me leje dhe përdorej nga i ati i tij, dhe një shishe me alkool.
Por pak para aktit të vetëvrasjes, ai vendosi të pranonte ofertën që i bëri punonjësi i policisë që po fliste gjatë gjithë kohës me të. “Po, do të dorëzohem. Priteni çiften se do e hedh”. Në atë moment i bie telefoni. Dyshohet se dikush i ka treguar se gruaja dhe i ati i saj ishin të vdekur.
Atëherë, sipas policisë, ka kthyer armën nga trupi dhe e ka shkrehur. Gjithçka sipas policisë së Durrësit u shkatërrua në 3 minuta, ndërsa forcat speciale ishin bërë gati të ndërhynin, kur Dritani ka qëlluar veten.
Familjet Leka dhe Petova kanë hapur dyert e mortit, ndërsa mësohet se Dritani për gjatë gjithë kohës që kërcënonte kërkonte të kryente një telefonatë me vëllanë e tij që kishte në Itali. Policia e Durrësit nuk bën të ditur nëse u krye ajo telefonatë dhe nëse personi që i telefonoi ishte pikërisht vëllai i vetëm i Dritanit.