Lajmet e fundit

Harresa për ta mbyllur derën e objektit të cilin e menaxhonte, i kushtoi me largim nga puna 52 vjecarit nga Peja. Ose të paktën, ky ishte një ndër arsyetimet e menaxhmentit që për Astrit Goskën vazhdojnë të mbesin banale.
Për tu kthyer në retrospektivë, Goska e nis rrëfimin e tij më akuzën më të rëndë se shefat e tij donin servil.
E martë, më 20 shkurt të 2024, Astriti u zgjua e shkoi në punë ashtu si cdo ditë të 17 viteve të fundit.
Edhe pse problemet në punë kishin filluar tash e sa muaj, një email do e shokonte atë.
Ishte ky email ku atij i kumtohet lajmi që është larguar nga puna.
Një lajmërim i tillë qe befasues për Astritin, për faktin se kontributi i tij në këtë institucion ishte aq sa i gjatë por edhe i frytshëm.
Punën në Agjencionin për Financim në Kosovë, AFK, në Pejë Astriti Goska e kishte filluar nga viti 2007.
Fillimisht si analist kreditor për të vazhduar më tutje si zyrtar për delikuenca e më vonë edhe si menaxher dege.
Ndër vite gjithcka po shkonte sic duhet.
Kjo deri në muajin prill të vitit të kaluar, kur një punëtor kërkoi të linte punën pasi që institucioni nuk po i ofronte pagën që ai kërkoi.
E gjithë barra e largimit të tij nga puna iu mvesh Astritit.
Largimi i punëtorëve u bë problem për stabilitetin e Astritit në punë edhe për faktin se në deklaratat e tyre dalëse, këta të fundit kishin hedhur akuza mbi menaxherin e tyre.
Muajve në vazhdim, presioni mbi Astritin po shtohej vazhdimisht.
Mungesa e respektit kundrejt Astritit nga personeli ekzekutiv, sipas tij, bëri që dhe gjithë punëtorët që menaxhonte t’i ktheheshin kundër. Sipas Astritit, i gjithë ky mllef i puntorëve, adresën e kishte diku tjetër.
Brenda institucionit të AFK-së po ndodhte një katrahurë.
Kohë pas kohe mbaheshin komisione disiplinore, herë me dije të Astritit e herë pa dijen e tij.
Madje kishte raste kur Goska ishte interesuar për mbledhjet që po mbaheshin mirëpo ato mbaheshin në mënyra aq të fshehura, sa te Astriti kishin zgjuar vetëm ndjenja paranoje se dicka po ndodhte prapa shpinës së tij.
E gjithë kjo situatë që po zgjaste me muaj të tërë, krijonte atmosferë jo të mirë në vendin e punës, aty ku Astriti kalonte pothuajse gjithë ditën e tij.
Presioni, stresi dhe mospërfillja që i vinte nga kolegët që menaxhonte e nga personeli ekzekutues Astritit i shkaktoi shqetësime psikologjike.
Për KIKS-in, Astriti rrëfen se në mesin e këtyre problemeve, zevendës drejtori Xhevdet Spahia i kishte ofruar atij 20 mijë euro në mënyrë që ta lëshonte atë pozitë pune.
Mirëpo, një kërkesë të tillë ata nuk ia ofruan edhe me shkrim, në momentin kur Astriti ua kërkoi.
Madje për një kërkesë të tillë, zv.drejtori… ishte takuar edhe me motrën e Astritit për t’i kërkuar që ta bindte të vëllanë. I kishte thënë se do t’ia jap 20 mijë euro në këmbim të lëshimit të vendit të punës.
Presioni i vazhdueshëm sipas Astritit i bëhej në mënyrë që ai të lëshonte vetë vendin e tij të punës, pasi që në atë institucion u duheshin njerëz servilë të cilët nuk kundërshtojnë.
E që sipas Astritit, ai nuk ishte njëri prej tyre.
Shqetësimet e njëjta për Astritin vazhdojnë edhe deri në momentin kur pranon lajmërimin që u pushua nga puna.
Më tronditës se lajmi i ndërprerjes së kontratës, që e kishte për kohë të pacaktuar, 52-vjeçarit i erdhën arsyet që kishin ranguar AFK-ja si dëshmi që ai duhej të largohej nga ai institucion.
Një largim i papritur nga puna, preku drejtëpërdrejtë gjendjen ekonomike të familjes Goska.
Kjo për faktin se Astriti si kryefamiljar ishte i vetmi në familje që punonte dhe kishte të ardhura të sigurta, pasi që të dy fëmijët e tij janë nën moshën 18-vjecare dhe janë ende duke u shkolluar.
Padrejtësitë që Astriti pretendon që iu janë bërë tanimë i ka dërguar në gjykatë duke ngritur padi kundrejt AFK-së.