Lajmet e fundit
Për vite të tëra, pikturat e Sofia Zengo Papadhimitri janë ruajtur me kujdes nga familjarët.

Një nga piktoret e para femra në Shqipëri vjen me një ekspozitë personale me rastin e 100-vjetorit të lindjes në Galerinë Kombëtare të Arteve.
Ekspozita, e cila prezanton 86 vepra të përzgjedhura nga koleksioni i familjes Papadhimitri, koleksioni i GKA dhe një koleksion privat është hapur dje në GKA.
“Sofia Zengo Papadhimitri, është një piktore që mua personalisht më kujton artistët më të shquar të Akademisë ‘Albertni’ në Torino, të Akademisë së Brerës në Milano, pra janë disa referenca që mua më çojnë në Itali, me artistët italianë të viteve 1900. Në veprat e Sofias, vëmë re se qëndrimi artistik që ka në pikturë, kërkimi që ka te figura njerëzore, te portreti, te psikologjia e imazhit, është një qëndrim elegant europian për kohën”, thotë drejtori i GKA-së, Artan Shabani.
Ai ka ftuar Bashkinë e qytetit të Korçës, të ndërtojë një pinakotekë ku të ekspozohen për publikun veprat më të mira të artistëve korçarë.
Të pranishëm në hapjen e ekspozitës, të bijtë e piktores, Jani dhe Vangjush Papadhimitri, treguan një anë më familjare të nënës së tyre.
“Duke rrjedhur nga një familje me tradita në pikturë dhe që gjithmonë i është kushtuar punës, Sofia punonte me një skrupulozitet dhe sakrificë ndaj pikturës dhe artit. Më vjen keq që as asaj dhe as motrës Androniqi nuk ju dha kurrë një studio pikture dhe nëna ime pikturoi gjithë jetën në një shtëpi me lagështirë”, u shpreh Jani Papadhimitri.