Lajmet e fundit

Michel Foucault dhe Noam Chomsky në debatin legjendar (1971)
Dhe si e shikoni revolucionin maoist? A ishte Kina në ndonjë periudhë shtet socialist?
“Revolucioni maoist” ishte një çështje komplekse. Ekzistonte një element i fuqishëm popullor në marksizmin kinez që trajtohet në mënyrë të shkëlqyer nga Maurice Meisner. Studimi mbresëlënës nga William Hinton, Fanshen, kap në mënyrë të qartë një moment ndryshimi të thellë revolucionar jo vetëm në praktikën shoqërore, por edhe në mentalitetin dhe ndërgjegjen e fshatarësisë, me kuadrot e partive që shpesh i nënshtroheshin kontrollit popullor. Më vonë, sistemi totalitar ishte përgjegjës për krime të tmerrshme, sidomos “Hapi i Madh Përpara” me numrin e madh të të vdekurve prej dhjetëra milionësh. Përtej këtyre krimeve, siç tregohet nga ekonomistët Amartya Sen dhe Jean Dreze, që prej pavarësisë deri në vitin 1979, kur filluan reformat e Tenit, programet kineze të shëndetit dhe zhvillimit rural shpëtuan jetët e rreth 100 milion personave në krahasim me Indinë e të njëjtës periudhë. Se sa kjo ka të bëjë me socializmin varet nga interpretimi i këtij termi të shumëpërfolur.
Kuba nën Kastron?
Në një analizë që mund t’i bëhet Kubës që prej shpalljes së pavarësisë me Kastron në vitin 1959, nuk mund të anashkalohet fakti se thuajse që nga momenti i parë Kuba ishte shënjestër e sulmeve të forta nga ana e superfuqisë botërore. Nga fundi i 1959-s, aeroplanë të pozicionuar në Florida bombardonin Kubën. Në mars u mor një vendim i fshehtë për të përmbysur qeverinë. Administrata e Kennedy-t ndërmori mësymjen e Gjirit të Derrave. Dështimi i saj shkaktoi thuajse histeri në Uashington, dhe Kennedy nisi një luftë për të “bërë qametin” në Kubë, sipas fjalëve të bashkëpunëtorit të tij historianit Arthur Schlesinger, në gjysmëbiografinë e Robert Kennedy-t, që u vu në krye të operacionit. Nuk ishte një ngjarje e parëndësishme dhe përbënte një ndër faktorët që solli krizën e raketave, çka Schlesinger-i me të drejtë e quajti momentin më të rrezikshëm në histori. Lufta terroriste vazhdoi edhe pas krizës. Sakaq, një embargo shtypëse u vendos duke shkaktuar një krizë të rëndë në Kubë. Vazhdon edhe sot e kësaj dite, e kundërshtuar nga e gjithë bota.
Kur ndihma e Rusisë mbaroi, Clinton-i e bëri embargon më të egër, e disa vite më pas Akti Helms-Burton e vështirësoi edhe më. Pasojat sigurisht kanë qenë të rënda. Ato janë trajtuar në mënyrë të përshtatshme nga Salim Lamrani. Veçanërisht të rënda kanë qenë pasojat mbi sistemin shëndetësor të privuar nga ilaçe bazë. Me gjithë sulmin, Kuba ka zhvilluar një sistem mjekësor mbresëlënës dhe ka një kontribut të pamat në internacionalizmin mjekësor – ashtu si edhe një rol të rëndësishëm në çlirimin e Afrikës dhe fundin e regjimit të aparteidit [në Afrikën e Jugut]. Kanë ndodhur edhe shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, megjithatë të pakrahasueshme me standardin e vendeve të rajonit të dominuara nga SHBA-ja apo vendet e mbështetura prej saj në Amerikën Latine. Për të mos harruar se shkeljet më flagrante të të drejtave të njeriut në Kubë në vitet e fundit janë kryer në Guantnamo, të cilën SHBA ia mori Kubës me armë në fillimin e shek. XX dhe që refuzon t’ia kthejë. Në tërësi, një histori e ngatërruar dhe e vështirë për t’u vlerësuar duke parë kushtet komplekse.
Në qasje të fundit, a e konsideron kolapsin e të ashtuquajturit “real-socializëm” një ngjarje pozitive, dhe nëse po, pse? Në ç’mënyrë kjo ngjarje ka sjellë përfitime për vizionin socialist?
Kur Bashkimi Sovjetik ra, shkrova një artikull ku përshkruaja ngjarjet si një fitore e vogël për socializmin jo vetëm sepse kishte rënë një prej vendeve më antisocialiste në botë, ku punëtorët kishin më pak të drejta se në Perëndim, por edhe sepse e çliroi termin “socializëm” nga barra e të qenit i lidhur në propagandën e sistemeve të Lindjes dhe Perëndimit me tiraninë sovjetike – për Lindjen me qëllim përfitimin nga aura e socializmit autentik, për Perëndimin me qëllim demonizimin e konceptit.
Argumenti im mbi atë që u quajt “real-socializëm” ka qenë se shteti sovjetik u përpoq që në nisje që të mblidhte energjitë e popullit të vet dhe të popujve të shtypur gjetiu dhe t’i vinte në shërbim të njerëzve që përfituan nga ngjarjet e Rusisë së 1917-s për të marrë frenat e shtetit.
Që prej origjinës së tij, socializmi ka nënkuptuar çlirimin e punëtorëve nga shfrytëzimi. Siç ka vërejtur teoricieni marksist Anton Pannekoek, “ky qëllim nuk u arrit dhe nuk mund të arrihet nga një klasë e re drejtuese dhe qeverisëse që zëvendëson borgjezinë,” por mund të arrihet “nga vetë punëtorët që bëhen zotër të procesit të prodhimit.” Marrja në dorë e mjeteve të prodhimit nga prodhuesit është esenca e socializmit dhe mënyrat për arritjen e këtij qëllimi janë krijuar vazhdimisht gjatë periudhave të përplasjeve revolucionare, kundër opozitës së egër të klasave tradicionale sunduese dhe kundër “intelektualëve revolucionarë” të drejtuar nga parimi bazë i leninizmit dhe menaxherializmit perëndimor, që u përshtatet kushteve të caktuara. Por parimi bazë i idealit socialist ngelet: të kthejë mjetet e prodhimit në zotërimin e prodhuesve të shoqërizuar, e bashkë me të pronën e përbashkët të popullit që e ka çliruar vetveten nga shfrytëzimi i pronarëve, si një hap themelor drejt një realiteti të lirisë së njeriut.
Inteligjencia leniniste kishte një agjendë të ndryshme nga kjo. Ata i përshtaten përshkrimit marksist të “konspiratorëve” që e “pengojnë zhvillimin e procesit revolucionar” dhe e deformojnë sipas qëllimeve të tyre. “Këndej lind përçmimi i thellë i tyre për emancipimin teorik të punëtorëve lidhur me interesin e tyre klasor,” që përfshinte përmbysjen e burokracisë së kuqe për të cilën paralajmëroi Bakunini dhe krijimin e mekanizmit të kontrollit demokratik mbi prodhimin dhe jetën sociale. Për leninistët, masat duhet të disiplinohen, ndërsa socialisti do të përpiqet të arrijë një rend social në të cilin disiplina “do të jetë e panevojshme” pasi prodhuesit e shoqërizuar vullnetarisht do të “punojnë për hesap të tyre” (Marks). Socializmi libertarian, për më tepër, nuk i kufizon qëllimet e veta te kontrolli demokratik i prodhuesve mbi prodhimin, por mëton të zhdukë të gjitha format e sundimit dhe hierarkisë në çdo aspekt të jetës sociale dhe personale – një përpjekje e pafund, pasi progresi për arritjen e një shoqërie më të drejtë do të sjellë një këndvështrim të ri të formave të shtypjes që rrinë fshehur në praktikat dhe ndërgjegjen tradicionale.
Antagonizmi leninist ndaj aspekteve më esenciale të socializmit ishte i dukshëm që në nisje. Në Rusinë revolucionare, sovjetët dhe komitetet e fabrikave u zhvilluan si instrumente të luftës dhe çlirimit, me shumë të meta, por me një potencial të pasur. Lenini dhe Trocki, pasi morën pushtetin, menjëherë u përkushtuan në shkatërrimin e potencialit çlirues të këtyre instrumenteve, duke vendosur pushtetin e Partisë [Komuniste]. Praktikisht Komitetin Qendror dhe udhëheqësit sipërorë – pikërisht ashtu siç e kishte parashikuar Trocki para shumë vitesh, apo paralajmëruar Roza Luksemburg e marksistë të tjerë të majtë në atë kohë dhe siç ishte kuptuar gjithmonë nga anarkistët. Jo vetëm masat, por edhe Partia duhet t’i nënshtrohet “kontrollit vigjilent nga lart”, kjo ishte qasja e Trockit ndërsa bënte kalimin nga intelektual revolucionar në klerik të shtetit. Para se të kapte pushtetin, udhëheqja bolshevike adoptoi shumë prej retorikës së atyre që ishin përfshirë në përpjekjen revolucionare nga poshtë, por qëllimet e tyre ishin të tjera. Kjo ishte e dukshme që më përpara dhe u bë më se e qartë pasi morën pushtetin në tetor të 1917-s.
Një historian simpatizant i bolshevikëve, E.H. Carr, shkruan se “prirja spontane e punëtorëve për t’u organizuar në komitete fabrikash dhe për të ndërhyrë në menaxhimin e fabrikave mori padyshim hov nga një revolucion i cili i bëri punëtorët të besonin se makineria prodhuese e vendit u përkiste atyre dhe mund të vihej në punë prej tyre sipas kërkesave të tyre dhe në favor të tyre”. Për punëtorët, siç u shpreh një delegat anarkist, “komitetet e fabrikave ishin qelizat e së ardhmes… Ato, dhe jo shteti, duhet të merrnin në dorë administrimin.”
Por klerikët shtetërorë kishin të tjera plane dhe vepruan menjëherë për shkatërrimin e komiteteve të fabrikave dhe kthimin e sovjetëve në organe të kontrolluara prej tyre. Në 3 nëntor Lenini deklaroi përmes “draft-dekretit mbi Kontrollin nga Punëtorët” se delegatët e zgjedhur për ta aplikuar këtë kontroll do t’i “përgjigjeshin shtetit për ruajtjen e rregullit dhe disiplinës më të rreptë dhe për ruajtjen e pronës.” Në fund të vitit, Lenini vuri në dukje se “kaluam nga kontrolli i punëtorëve në krijimin e Këshillit Suprem të Ekonomisë Kombëtare,” që kish për qëllim “të zëvendësonte, përthithte dhe tejkalonte instrumentin e kontrollit nga punëtorët” (Carr). “Vetë ideja e socializmit trupëzohet në konceptin e kontrollit nga punëtorët.” – u ankua një sindikalist menshevik. Udhëheqja bolshevike e shprehu të njëjtën ankesë në aksion e sipër, duke shkatërruar vetë idenë e socializmit.
Intervistë e marrë nga C.J. Polychroniou për revistën Trouthout, 17/07/16. përktheu Redi Muçi Organizata Politike