No Borders Orchestra, ansambël i përbërë nga muzikantë profesionistë nga hapësira e ish-Jugosllavisë, do të mbajë një koncert në Prishtinë me titullin “Turning Point”, në kuadër të turneut rajonal Balkan Season 2025. Ky ansambël, që ka regjistruar CD-në e tij të parë për Universal Music nën etiketën Deutsche Grammophon, ia dhuron këtë koncert qytetarëve të Prishtinës.
Turning Point nuk është vetëm koncert, por edhe një thirrje për reflektim dhe veprim. Ndërsa bota po përballet me sfida si luftërat, pabarazitë shoqërore, ndryshimet klimatike dhe shkatërrimin e natyrës, ky projekt na kujton nevojën për unitet dhe guxim për t’u përballur me realitetin.
Projekti “Turning Point” lëviz ndërmjet veprave të kompozitorëve të mëdhenj si Schoenberg, Strauss dhe Mahler, duke pasqyruar një pikë kthese mes romantizmit të vonë dhe modernizmit.
Ky turne nuk është vetëm një rikujtim i së kaluarës, por një fanar optimizmi dhe një thirrje për veprim.
Në këtë turne, veprat historike madhështore do të shoqërohen edhe me katër kompozime të reja, të porositura nga disa prej kompozitorëve më të shquar të rajonit: Nina Perovic (Mali i Zi), Davor Branimir Vincze (Kroaci), Darija Andovska (Maqedonia e Veriut) dhe Marko Nikodijević (Serbi).
No Borders Orchestra, poashtu do të mbajë koncert nesër në Sallën e Filharmonisë në Shkup. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.