Lajmet e fundit

ESE – E bukura e grupimit i ngjante eksperimentit njerëzor, karaktere me shumë baza të thjeshta e të grupuara në shtëpinë e fantazive të çamarrokllëkut e të artit, në një provë të gjatë qëndrueshmërie për të hyrë në një marrëdhënie të rregulluar, në një merkato të ngatërruar e të vështirë vlerash.
Ishte pothuaj orar dreke kur ndjeva se telefoni im po dridhej. E lashë për një çast pa u përgjigjur, pasi e dija që do të ishte një nga ato kontaktet rutinë të gruas, që bëhej e pranishme në distanca të shkurtra kohe me komandat e saj për punët e familjes; rregullim oraresh, pritja e fëmijëve nga shkolla, herë ndonjë lajm që donte ta ndante në dorë të parë e kështu me radhë. Këto ecejake e mbushnin kohën tonë me një papërtueshmëri të zellshme e me një ngulm që po ta vije në kandar peshonte dashuri për t’u ndier në kohën e tjetrit, ose ndryshe një lloj manie për të zënë në sasi ndarjen e jetës së përbashkët në një hapësirë të caktuar, të përsëritur si vëmendje e fituar.
Telefoni nuk ndalonte të dridhuri. Më në fund vendosa ta hap. Nuk ishte ime shoqe. Ishte Çili, ose Çiljeta, siç e thërrisja në afrimitet; një mik i vjetër nga fëmijëria, me një gjatësi të pandërprerë, gati sa e gjithë jeta ime e deritashme. Çili që shfaqej në liqenin tim të vjetër të mirësive, i dalluar me një të qeshur si me kate, dhe nga një dashuri e pambarimtë për miqësitë e liceut. Çili ishte si një ngërthej e purpurt, ose si kufi kohe që nuk të lejonte të kapardiseshe me kufij të zhbërë vetëndierjesh, pasi ruante në vetvete çelësin e sëndukut ku strukeshin gjërat e shtrenjta të rinisë. Një lloj dëshmitari që të zhbën sapo e dëgjon, ngaqë ka prirjen e çuditshme të të kthejë pas në kohë me një naivitet të përkorë, si vetë e qeshura e tij.
Çiljeta ishte një stacion i rigjetur i përkëdheljes së parë të njeriut për t’u prekur, nga fakti sesa gjatë mund të rronte një miqësi, por edhe nga ajo se në njëfarë mënyre ne tregonim një lloj vazhdueshmërie ndaj vetes, më së shumti ngaqë ishim tipa besnikë dhe të qëndrueshëm në figurën në tretje e largim të vetvetes; por edhe për një fakt të thjeshtë e të konsiderueshëm, që ruanim fshehtazi se ishim ende të gjallët më të mirë, me dobësitë tona me performancën dhe fuqinë për të qenë të dukshëm në miqësi që nuk sosin, por rivitalizohen si shenja të hershme e të reja në kuadër të ripërtëritjes. Të gjitha këto më vardiseshin në mendje dhe sakaq iu përgjigja telefonit.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni më poshtë:
http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2015/11/16/njolla-te-tejdukshme/