Lajmet e fundit

Një protestë e rrallë e një personi kundër Presidentit të Kinës, Xi Jinping në Pekin, ka frymëzuar protesta solidariteti në mbarë botën ndërsa kongresi i partisë kineze mbahet gjatë kësaj jave.
Të enjten e kaluar, një burrë vendosi parulla mbi një urë në kryeqytetin e Kinës që akuzonte Xinë si diktator. I njëjti u arrestua shpejt, por fotot e veprimit të tij u përhapën në mbarë botën, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Që atëherë, shenja dhe mesazhe të ngjashme janë shfaqur në disa kampuse universitare në SHBA, Mbretëri të Bashkuar, Evropë, Australi dhe më gjerë.
“Ne, njerëzit e Kinës, duam ta përhapim këtë mesazh që flet mendjen tonë në vende pa censurë”, u tha në një nga tabelat mbështetëse.
Shumë njerëz po përsërisin mesazhet e shfaqura javën e kaluar në urën Sitong në rrethin Haidian të Pekinit. Disa posterë tregojnë gjithashtu mesazhe kundër presidentit aktual, si – “Mirupafshim JinPing”.
Në Instagram dhe Twitter, disa llogari të aktivizmit kinez u kanë kërkuar ndjekësve që t’i kushtojnë vëmendje thirrjes së protestuesit të Pekinit “për të goditur” dhe për të ndërmarrë veprime gjatë javës së kongresit të Partisë Komuniste.
Gjithashtu, ka pasur siguri të shtuar në Pekin në ditët pas protestës, me polici dhe personel shtesë të vendosur në urat në qytet, për t’i shmangur veprimet e tilla anti-qeveritare.
Madje, sipas raportimeve, disa përdoruesve të rrjetit social, “WeChat” që shpërndanë fotot e protestës në internet, u janë pezulluar llogaritë.
Një burrë thuhet se u arrestua pasi ai ndau fotografi në Twitter, të cilat mund të aksesohen në Kinë përmes një rrjeti privat virtual.
Aktivistët kanë shprehur frikën për mirëqenien e “Njeriut të urës”, ndërsa e kanë lavdëruar edhe për protestën ku u maskua si punëtor në rrugë, duke bërtitur parulla në altoparlant dhe duke i vënë flakën gomave.
Videot nga vendi i ngjarjes treguan se burri u kap nga oficerët e policisë dhe u fut në një makinë. Por, policia kineze ka refuzuar t’i përgjigjet pyetjeve të BBC-së në lidhje me incidentin.
Protesta u zhvillua në prag të kongresit të 20-të të Partisë Komuniste, i cili do të zgjasë deri në fund të kësaj jave. Xi pritet të zgjidhet si udhëheqës i partisë për një mandat të tretë, duke çimentuar kontrollin e tij në pushtet. /Klankosova.tv