Lajmet e fundit

Festa e Krishtlindjeve ka qindra vite që është pjesë e traditës së shumë familjeve besimtare nëpër botë, por tashmë është edhe pjesë e rëndësishme kulturore e botës perëndimore në përgjithësi.
Kjo ditë që shënon lindjen e Jezu Krishtit nuk kishte qenë festa kryesore e të krishterëve të cilët i kishin pasur Pashkët si më të rëndësishme. Tek në shekullin e katërt zyrtarët kishtarë kishin vendosur që ta shenjojnë si festë ditën e lindjes së tij.
Në bibël nuk përmendet data e lindjes së tij, dhe madje ka fjalë që thonë se Krishti mund të ketë lindur në pranverë, por ishte Papa Xhuliusi i Parë që e vendosi datën 25 dhjetor.
Arsyeja se pse është zgjedhur kjo datë është për t’i adaptuar traditat e festivalit romak të Saturnalias, dhe së pari ishte quajtur Gostia e Lindjes, dhe kjo traditë më pas ishte përhapur edhe në Egjipt më 432, si dhe në Angli kah fundi i shekullit të gjashtë, sipas history.com, përcjell Klan Kosova.
Amerikanët nuk i kishin përqafuar Krishtlindjet deri pas shekullit të nëntëmbëdhjetë, duke e transformuar këtë ditë nga një karnaval shthurjeje e të zhurmshëm në një festë të qetë dhe familjare.
Shkrimtari amerikan, Washington Irving, më 1819 shkroi një sërë tregimesh për festimin e Krishtlindjeve në një shtëpi angleze ku kategori të ndryshme shoqërore tuboheshin bashkë për të festuar qetësisht. Këto rrëfime të tij nuk kishin ndonjë bazë faktike, dhe kjo kishte shtyrë historianët që të vijnë në përfundim se ai i kishte “shpikur” Krishtlindjet moderne.
Po atë shekull, romancieri anglez Charles Dickens shkroi novelën “Kënga e Krishtlindjeve” që promovonte bëmirësinë dhe konsideratën ndërnjerëzore.
Më vonë, erdhi figura e Babadimrit e bazuar në Shën Nikolasin, një murg i lindur në Turqi i cili e kishte falur pasurinë e trashëguar dhe kishte udhëtuar vend më vend për të ndihmuar të varfrit dhe të sëmurët.
Shën Nikolasi fitoi rëndësi në Amerikë në fund të shekullit tetëmbëdhjetë kur familjet holandeze mblidheshin për ta festuar përvjetorin e vdekjes së atij që ata e quanin Sinter Klaas nga ku edhe buron emri anglez për babadimrin, Santa Claus.
Versioni i ri i Babadimrit (Shën Nikolasit) vjen nga poezia “Një rrëfim mbi një vizitë nga Shën Nikolasi” e shërbyesit fetar episkopal, Clement Clarke Moore ku Babadimri paraqitet si personazh gazmor që udhëton në një slitë me drerë dhe shpërndan dhurata për fëmijë.
Ndërkaq pamja e tij me mjekër, kostumi bardh e kuq dhe thesi me dhurata u vizualizua nga Thomas Nast për poezinë e Moore-t.