Lajmet e fundit

Koreografi Gjergj Prevazi sjell sot në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, historinë e dy kërcimtarëve në një histori aspak të zakonshme…
Dy kërcimtarë ndajnë bashkërisht të njëjtën hapësirë pune, jetojnë shpeshherë si shokë në të njëjtin apartament, hanë të njëjtin ushqim duke gatuar së bashku, ndajnë të njëjtat ide, për jetën shoqërinë, femrat…Por ka diçka që i ndan ata?
Ky është subjekti i dance teatër që do të ngjitet sot në skenën e Teatrit Aleksandër Moisiu në qytetin e Durrësit nën koreografinë e Gjergj Prevazit dhe kërcimin e Elton Cecës dhe Labinot Rexhepit.
Shfaqja inspirohet nga marrëdhëniet disi kontraverse të marrëdhënieve mashkull-mashkull në traditën shoqërore dhe sociale. Parë në këndvështrimin tradicional shqiptar të këtyre marrëdhënieve duke pasqyruar realitetin e sotëm, duke u përthyer në përballje me modernizmin gjithnjë e më tepër të jetës urbane, ndikimin e kulturave të tjera.
Përmes dancit dhe teatrit, fjalës dhe imazhit, shfaqja ndërtohet mbi principet e dramaturgjisë së frangmentarizuar me kalime situatash nga dramatike në komike, nga realiste në surrealiste, nga ilustrative në ndjesore, duke mos pasur qëllim tregimin e një historie konkrete, por përcjelljen e ideve dhe të një imazhi që “provokon” audiencë duke na ftuar drejt një reflektimi intelektual.
Në këtë situatë, koreografi Prevazi sjell një qasje Frojdike, por me mjetet shprehëse të dancit dhe teatrit, me fjalën dhe imazhin filmik. Një kërcim i cili kërkon jo vetëm të japë ndjesi, por dhe të tregojë një histori, përmes dy protagonistëve të saj, transmeton Gazeta Shqip.