Lajmet e fundit

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se 10 vjetori i Pavarësisë së Kosovës është përvjetor i rëndësishëm për Kosovën.
Ai në një konferencë për media në prag të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës ka listuar disa prej atyre që ai i ka cilësuar si të arritura.
“10 vjetor i rëndësishëm për vendin, shoqërinë, për të arritur tona por edhe i momentit të reflektimit, lëshimet dhe dobësitë që kanë ndodhur dhe për mundësinë e evitimit të tyre dhe lëvizjes përpara”.
“Këto 10 vjet kanë qenë vite të progresit të gjithanshëm, të konsolidimit të brendshëm dhe jashtëm shtetëror, të 115 njohjeve ndërkombëtare, të anëtarësimit të Kosovës në shumë organizata ndërkombëtare, të vazhdimit të zhvillimit ekonomik, vite të ndryshimit të Kosovës për të mirë, vite të vazhdimit të reformave në ekonomi, politikë dhe legjislacion”.
“Kanë qenë vite të thellimit të partneritetit me SHBA-të, BE-në dhe NATO-n”.
“Kanë qenë vite të shtensionimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, të arritjes së marrëveshjes për paqen, implementimit të shumë marrëveshjeve, përmirësimit të gjendjes në veri, vite të përpjekjeve të përbashkëta vendore edhe ndërkombëtare”.
Ndër të tjera, i pari i vendit ka thënë se 10 vjetori i Pavarësisë është një rrugëtim i përbashkët i politikës, institucioneve dhe qytetarëve, njofton Klan Kosova.
“Dua të potencoj se falë punës së përbashkët në Kosovë, institucionet vendore edhe me konsultim me Bashkësinë Ndërkombëtare, kemi arritur që të përmbyllim mbikqyrjen ndërkombëtare të Pavarësisë”.
“Në këtë periudhë është ruajtur bashkëpunimi i ngushtë me mekanizmat ndërkombëtarë, EULEX-i pavarësisht lëshimeve ka bërë punë të mirë, por gjithmonë duke pasur parasysh se është koha që autoritetet vendore t’i marrin parasysh përgjegjësitë që ju takojnë”.
“Në këto 10 vjet janë bërë investime të shumta në të gjitha sferat shoqërore, ka qenë rrugëtim i përbashkët i politikës, institucioneve dhe qytetarëve për ndërtimin e Kosovës së re, evropiane dhe multi-etnike”.