Lajmet e fundit

Ministri i Jashtëm Hashim Thaçi ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin social Facebok se Kosovën e ka njohur shteti Niue, vend ky që ndodhet në Oqeanin Paqësor.
"Mbrëmë morra notën verbale nga Toke Talagi, kryeministri dhe ministri i jashtëm i shtetit Niue që gjendet në Oqeanin Paqësor, për njohjen e Kosovës dhe themelimin e marrëdhënieve diplomatike në mes dy shteteve tona. Vota sovrane e Niue në agjencionet si UNESCO, OBT, OBSH, etj. paraqet edhe një ndihmesë në mbledhjen e shumicës së duhur për anëtarësinë e Kosovës në agjencione të OKB." shkruan ai, transmeton Klan Kosova.
Niue është një ishull i cili shtrihet në pjesën jugore të Oqeanit Paqësor, larg rreth dy mijë kilometra nga brigjet e Zelandës së Re.
Niue nuk është vend anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, por, statusi i saj si vend i lirë, por i shoqëruar me Zelandën e Re, është pranuar nga OKB-ja si i barabartë me pavarësinë, sa u përket çështjeve ligjore.
Kështu që, Niue, është shtet me anëtarësi të plotë në disa nga agjencitë e specializuara të Kombeve të Bashkuara si, UNESCO, Organizata Botërore e Tregtisë dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, dhe është e thirrur që përkrah vendeve që nuk janë anëtare si Cook Islands, të marrin pjesë në konferencat e OKB-së të hapura për të gjitha shtetet.