Lajmet e fundit

Muharrem Nitaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përmes një shkrimi ka reaguar për situatën politike në vend e cila është pasuar edhe me protesta të dhunshme në Prishtinë.
Nitaj kërkon nga krerët e shtetit që të reflektojnë mbi këtë situatë dhe të mos e përdorin Policinë e Kosovës si mjet për t’i realizuar qëllimet politike.
Në reagimin e tij, Nitaj përmendë edhe Presidenten Atifete Jahjaga, për të cilën thotë se ka dështuar ta kryejë rolin e saj si faktor unifikues.
Përveç se i drejtohet pozitës e presidentes, Nitaj përmendë edhe liderët e opozitës, e në vend të Visar Ymerit si lider të Lëvizjes Vetëvendosje, ai e përmend emrin e Albin Kurtit.
Ky është reagimi i plotë i Nitajt, dërguar mediave:
Ju liderët politik e institucional të Kosovës, vendi është në krizë politike dhe kërkon ndërhyrje urgjente. Kjo krizë politike është thellë dhe nuk zgjidhet me polici. Mos e sfidoni policinë e shtetit dhe mos e shndërroni atë në mjet për zgjidhjen e krizave politike. Ju dy shefat e shtetit, Hashim Thaçi e Isa Mustafa, vendi që ju e qeverisni nuk është në ditët më të mira të tij, dhe fajin për këtë e keni ju dhe vetëm ju, prandaj reflektoni ooo njerëz. Ju Presidente Jahjaga po dështoni për të qenë faktor i unitetit, dhe vendi po rrezikon të rrëshqasë në anarki. Ju duhet duhet ta impononi dialogun politik, si formë të daljes nga kriza, ose duhet të largoheni nga detyra. Ju prokurorë dhe gjyqtarë, vendi është në krizë politike dhe nuk zgjidhet as me arrestimin e as me dënimin e deputetëve. Ata duhet të jenë të lirë. Refuzoni urdhrat politik dhe mos u bëni instrument i askujt, sepse vendi është në krizë politike e cila nuk zgjidhet me mjete ligjore. Ju liderë të opozitës Haradinaj, Kurti e Limaj, rishikoni metodat e kundërshtimit tuaj të drejt, dhe bëhuni liderë të një aktivizmi qytetar e civil, sepse kjo është arma më e fortë e mbrojtjes së shtetit. Dhe në fund, ju diplomatë të të gjitha vendeve perëndimore në Prishtinë, edhe një herë vendosuni në mbrojtje të Kosovës së pavarur dhe qytetarëve të saj dhe ndihmojeni atë që ta kapërcejë këtë sfidë, që po merr përmasa shqetësues”.
“Reagimi është personal dhe jo në emër të AAK-së”, shton në fund Nitaj.