Lajmet e fundit

Nisma për Kosovën ka shënuar sot trevjetorin e themelimit të saj, ku prezent ishin qindra pjesëmarrës, njofton Klan Kosova.
Njëri nga themeluesit e NISMA-s, Jakup Krasniqi, ka thënë që drejtuesit e kësaj partie kanë mbajt fjalën e dhënë dhe i qëndruan besnik Kosovës, përderisa uroi trevjetorin e partisë.
“Kosovës i duhen social-demokratët për t’u garantuar lirinë, drejtësinë dhe solidaritetin. Ka shumë punë për t’u bërë, për të jetësuar me dinjitet atë që e krijuam me flijimin e shumë gjeneratave” ka thënë Krasniqi.
Ndërsa i pari i kësaj partie, Fatmir Limaj, tha se ndihet krenar me punën që kanë bërë duke theksuar inicimin për bashkim të opozitës dhe qëndrimin besnik ndaj parimeve të tyre.
“Për 3 vite kemi kaluar shumë ngjarje që kanë dëshmuar nevojën për praninë e NISMA-s. Ne në parlament inkurajuam ndryshime në Kosovë, iniciuam bashkimin opozitar, e deputetët tanë nuk pranuan shantazhe e kompromise. Ne jemi krenar për grupin tonë i cili i qëndroi besnik votës dhe parimeve” deklaroi Limaj.
Tutje ai ka thënë që po të pyesim qytetarët për NISMA-n, ata do të thonë që “e mbajnë fjalën” andaj edhe e kanë sloganin e tillë “Ne e Mbajmë Fjalën”.