Lajmet e fundit

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, bisedoi sot në Tiranë me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni, Ali Ahmeti, lidhur me procesin zgjedhor në vendin fqinj dhe rezultatet e partive politike shqiptare.
Nishani pasi e uroi Ahmetin për fitoren e subjektit të tij politik në zgjedhje, vlerësoi angazhimin dhe kontributin e të gjitha subjekteve politike shqiptare në procesin zgjedhor si dhe në proceset demokratizuese dhe integruese të Maqedonisë.
Kreu i Shtetit nënvizoi prioritetin që Shqipëria u jep marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe partneritetit me Maqedoninë, duke theksuar rëndësinë që ka garantimi i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni si një komponent shtetformues dhe garantues i stabilitetit atje, shkruan gazeta Shekulli.
Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se proceset e integrimit euroatlantik janë thelbësore dhe përfaqësojnë interesin më madhor të të dyja vendeve, por edhe të rajonit në tërësi.