Lajmet e fundit

Në ditën e fundit të vizitës së tij zyrtare në Nju Jork, Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani ishte i ftuar në Kishën e Saint Athanasiusit në Bruklin, ku mori pjesë në meshën e shenjtë, duke falënderuar klerikët dhe veprimtarët shqiptarë që kontribuan në ngritjen e shtatores për nismën e tyre fisnike dhe atdhetare si dhe më pas, në veprimtarinë kulturore të organizuar nga Imzot David Cassato dhe nga Shoqata “Rrënjët Shqiptare”.
Në prani të Imzot David Cassatos dhe klerikëve të tjerë, përfaqësuesve dhe drejtuesve të komuniteteve të ndryshme fetare, drejtuesit Marko Kepi dhe anëtarëve të shoqatës “Rrënjët Shqiptare (Albanian Roots), Senatorit të Distriktit 22 të Shtetit të Nju Jorkut Martin J. Golden, Asambleistit Mark Gjonaj si dhe shumë bashkëatdhetarëve e besimtarëve bruklinezë, Kreu i Shtetit përuroi shtatoren e bamirëses me famë botërore shqiptare Nënë Terezës, tashmë të shpallur Shenjtore Tereza nga Papa Françesku disa javë më parë në Vatikan.
Senatori Martin Golden pasi vlerësoi Presidentin e Shqipërisë për përskushtimin e tij të vazhdueshëm në drejtim të përmirësimit të komunitetit, i dorëzoi Kreut të Shtetit shqiptar Rezolutën e Senatit të Nju-Jorkut të miratuar edhe nga Guvernatori Kuomo, e cila e shpall datën 4 Shtator si Ditën e Nënë Terezës në shtetin e Nju-Jorkut.
"Me ne sot është dhe Nëna jonë e dashur, e lumja Terezë, dhe të gjithë ne vetëm pak ditë më parë patëm fatin e papërsëritshëm në brezin tonë të përjetojmë shenjtërimin e Saj me një ceremoni historike që preku zemrat dhe u rrënjos përjetësisht në mendjet e gjithë botës".
"Nga ky moment Shenjtorja Terezë e Kalkutës do të lartësohet krenare këtu, për të pritur dhe përcjellë qindra dhe mijëra fëmijë, burra dhe gra që çdo javë vijnë në Kishën tuaj të Shën Athanasit, mijëra njerëz që do kalojnë çdo ditë do kenë mundësinë ta shohin, të komunikojnë pak me të, gjithsecili në mënyrën e vet, të kujtojnë dhjetëra shprehje dhe mesazhe që ajo me aq urtësi dhe guxim i dha botës mbarë dhe që janë domethënëse dhe në ditët që jetojmë", tha mes tjerash Nishani, raporton TCH, përcjellë Klan Kosova.
.