Lajmet e fundit

Presidenti Nishani ngushëllon familjarët e komandantit të FNSH-së që u vra gjatë një aksioni policie në Shkodër. Përmes një mesazhi të shpërndarë për mediat, kreu i shtetit u shtetit dënon aktin kriminal të vrasjes së komandantit Simon Gjeta dhe inkurajon forcat e rendit në luftën e përditshme kundër krimit.
“Të dashur anëtarë të familjes Gjeta!
Lajmi i rëndë për ndarjen e parakohshme dhe tragjike nga jeta të komandantit të FNSH-së në Shkodër, duke rënë në krye të detyrës, është tejet i rëndë jo vetëm për ju, por edhe për të gjithë shqiptarët.
Në këto momente të dhimbshme, më lejoni që në emrin tim dhe të familjes sime si dhe të mbarë qytetarëve shqiptarë, t’ju përcjell ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e pazëvendësueshme të bashkëshortit dhe babait të dashur, Simonit tuaj të shtrenjtë.
Në cilësinë e Kreut të Shtetit duke dënuar ashpërsisht aktin gjakatar, u bëj thirrje Policisë së Shtetit dhe organeve ligjzbatuese që të punojnë pareshtur pavarësisht nga ngjarja e rëndë dhe tronditëse, në luftën e tyre të përditshme kundër krimit.
Prehu në paqe të përjetshme Komandant Simoni!”, thuhet në mesazhin e shpërndarë nga Presidenca./Shekulli