Lajmet e fundit

Presidenti Bujar Nishani ka mbledhur sot në selinë e Presidencës, Këshillin e Sigurisë Kombëtare për shkak të mosarrestimit ende të të shumëkërkuarit Klement Balili.
Vendimi për mbledhjen e Sigurisë Kombëtare erdhi pas shqetësimit të ngritur zyrtarisht nga kryetari i Kuvendit Ilir Meta, i cili i ka dërguar një letër presidentit Nishani në lidhje me këtë çështje, shkruan gazeta Shekulli.
Pas letrës, institucioni i Presidencës tha se kjo kërkesë vlerësohet serioze, për shkak të problematikave që parashtrohen.
Ndërkohë në mbledhje janë të pranishëm kryetari i Parlamentit, Ilir Meta, përfaqësues nga Shtabi i Ushtrisë, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, ministri i Energjisë Damian Gjiknuri, ministri i sapoemëruar i Drejtësisë Petrit Vasili. Gjithashtu të pranishëm janë edhe ministri i Mbrojtjes Saimir Tahiri, prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako, ministri i Financave Arben Ahmetaj dhe ministri i Jashtëm Ditmir Bushati.
Siç kishte paralajmëruar, kryeministri Edi Rama nuk do të marrë pjesë pasi ndodhet për vizitë në Kosovë.