Lajmet e fundit

Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës në koordinim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë kanë nisur trajnimin dhe zhvillimin profesional të mësimdhënësve, të cilët nga vitit shkollor 2018/19, do të fillojnë zbatimin në praktikë të këtij dokumentit zyrtar.
Kurrikula e re nga viti shkollor 2017, ka filluar implementimin në të gjitha shkollat e nivelit të arsimit parauniversitar, konkretisht në nivelin parafillor, dhe klasën e dhjetë (X) në gjimnaze, ndërsa nga viti shkollor 2018/19, do të vazhdohet me implementim të KK-së edhe me klasën e II, VII dhe të XI në gjimnaze.
Drejtoria e Arsimit ka vlerësuar se kjo kurrikulë ndihmon nxënësit, të rinjtë dhe të rejat, të eksplorojnë dhe kuptojnë botën rreth tyre, të ndërlidhin përvojat e tyre të të nxënit me jetën e vërtetë dhe zhvillojnë kompetenca në nivel të lartë dhe në përputhje me nevojat dhe interesat e tyre.
Tutje është thënë se këto zhvillime reformuese në sferën e arsimit, kanë për qëllim edhe harmonizimin e sistemit të arsimit të Kosovës, me sistemin e arsimit të shteteve të zhvilluara evropiane.
Në funksion të këtyre zhvillimeve arsimore është organizuar trajnimi pesë ditor për 115 mësimdhënës, drejtues të shkollave dhe zyrtarë të arsimit në katër fushat e Kurrikulës, në mënyrë që zbatueshmëria e kurrikulës në shkollat tona të jetë në nivelin e kënaqshëm.
Trajnimi po zhvillohet për fushat gjuhët dhe komunikimi, shkencat natyrore, shoqëria dhe mjedisi dhe në ciklin fillor.