Lajmet e fundit

Ka nisur takimi mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq në kuadër të procesit të dialogut.
Ky takim është duke u ndërmjetësuar nga Emisari i Posaçëm Bashkimit Evropian për dialogun Mirosllav Lajçak dhe Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme Josep Borrell, njofton Klankosova.tv.
Borrell para takimit ka mbajtur një konferencë për media në të cilën ka thënë se shpreson që takimi i sotëm mes kryeministrit kosovar dhe presidentit serb të jetë i frytshëm.
“Sot do të jem nikoqir i takimit të dytë të nivelit të lartë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ky është takimi i dytë qysh prej zgjedhjes së Albin Kurtit si kryeministër i Kosovës. Takimi i parë nuk ishte shumë i frytshëm, prandaj të shpresojmë se sot do të jetë takim me më shumë rezultate", ka thënë Borrell.
Ky është takimi i dytë i Kurtit dhe Vuçiqit në kuadër të dialogut. Kurti është i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog Besnik Bislimi, ndërsa Vuçiq ishte me Petar Petkoviq, drejtorin e të ashtuquajturës Zyra Serbe për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.