Lajmet e fundit

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, të enjten mori pjesë në nisjen e projektit kundër krimit ekonomik në Kosovë.
Mustafa ka shprehur përkrahjen e plotë të Qeverisë së Kosovës për jetësimin e suksesshëm të projektit evropian kundër krimit ekonomik në Kosovë.
"Projekti kundër krimit ekonomik në Kosovë, projekt ky i Bashkimit Evropian dhe i Këshillit të Evropës, do të ofrojë asistime, analiza dhe vlerësime të përbashkëta me institucionet tona vendore dhe unë kam besim të plotë që implementimi i këtij projekti dhe realizimi i tij do të jetë i suksesshëm, do ta ndihmojë luftën tonë kundër korrupsionit, kundër pastrimit të parave, kundër financimit të terrorizmit, trafikimit të qenieve njerëzore, krimeve kibernetike dhe formave tjera të krimit financiar”, tha kryeministri Isa Mustafa.
Gjithashtu në këtë takim të pranishëm ishin edhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, Thomas Gnocchi nga zyra e BE-së në Kosovë, udhëheqësi i Departamentit të Veprimit kudnër Krimit nga Këshilli i Evropës, Ivan Koedjikov si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve vendore e ndërkombëtare.