Lajmet e fundit

Mbrëmë me fillim në orën 23:00 në Klan Kosova për herë të parë ka nisur së transmetuari emisioni më i ri i qujatur “Ora e Fundit”.
Hapja e emisionit u bë nga moderatorët Nalie Dema dhe Kushtrim Reshitaj me temën e javës së përgatitur nga gazetarja Arjeta Dragaj e cila kishte të bënte me neglizhencën e Ministrisë së Shëndetësisë, përballë miliona parave që i shpenzon për trajtimin e pacientëve jashtë vendit.
“Ora e Fundit” u pasua nga lajmet e shkurtëra të ditës të cilat u përmblodhën në tre minuta.
Ndërkohë, nga sheshi "Zahir Pajaziti" u paraqit gazetarja Rozafa Selmanaj e cila me Rexhep Abazin diskutoi rreth votimeve të së dielës në Medvegjë.
Në kuadër të këtij emisioni, u transmetuan edhe disa nga kronikat e edicionit qendror të lajmeve të orës 20:00.
Më pas në lidhje direkte u paraqit nga Kaçaniku gazetari Kreshnik Mustafa i cili raportoi për gjetjen e tre sirianëve në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë.
E në një studio të re të televizionit Shkodran Gajraku e intervistoi kryeprokurorin e Gjykatës Themelore në Prizren, Sylë Hoxha me të cilin foli për dukurinë e fajdeve në këtë qytet.
Antigona Sejdiu u përkujdes që ta bëjë parashkimin e motit përgjatë emisionit.
“Ora e Fundit” në vijim u karakterizua edhe nga lajmet aktuale nga rajoni dhe bota.
Ndërkaq, Emanuel Syla solli për shikuesit më të rejat nga sporti vendorë e ndërkombëtarë.
Përveç me informacione më të reja edhe nga showbizi e kultura, "Ora e Fundit" në rubrikën "Shqiptarçe", paraqiti edhe dy gabime drejtshkrimore që kishin të bënin me emrin e Medvegjës.
Emisioni vazhdoi me rubrikën tjetër atë të Duelit ku u shfaq debati i ashpër i zhvilluar gjatë pasdites në Info Magazine në mes të Armend Zemajt të LDK-së dhe Faton Topallit të Vetëvendosjes.
Pos Duelit, "Ora e Fundit" servoi për shikuesit saj edhe minutën e çudirave .
Emisioni më i ri i Klan Kosovës tash e tutje emetohet çdo mbrëmje nga e hëna në të premten nga ora 23:00.