Lajmet e fundit

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës sot ka filluar Java e shëndetësisë kosovaro –turke.
Hapja e kësaj jave, u bë nga Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, Ambasadorja e Republikës së Turqisë, Kivilcim Kiliç dhe Drejtori i Përgjithshëm i SHSKUK-së, Curr Gjocaj.
Rrahmani tha se organizimi i kësaj jave është vazhdimësi e bashkëpunimit të mirë midis dy shteteve, përkatësisht ministrive respektive, gjithashtu rezultat edhe i angazhimit të Ambasadores së Republikës së Turqisë në Kosovë dhe profesionistëve shëndetësor të këtij vendi.
“Nga ky bashkëpunim disa vjeçar midis dy shteteve në shëndetësi, më së shumti kanë përfituar pacientët kosovar, por edhe profesionistët mjekësor të dy vendeve”, tha numri një i shëndetësisë në Kosovë.
Ambasadorja Kivilcim Kiliç tha se Java e Shëndetësisë Kosovare Turke- është një kontribut i drejtpërdrejt i Turqisë për ta ndihmuar shëndetësinë në Kosovë, duke u nisur edhe nga fakti që Kosova për Turqinë është një vend mik dhe që ndajnë mes veti një histori, tradita dhe kultura të përbashkëta, transmeton Klan Kosova.