Lajmet e fundit

Refugjatët e bllokuar prej muajsh në vendkalimin kufitar greko-maqedonas, në Idomeni, kanë filluar të transferohen në kampe të tjera. Shumë prej tyre u shprehën të revoltuar për mbylljen e “rrugës ballkanike” duke mbajtur të bllokuar që nga dita e hënë hekurudhën ndërkombëtare që lidh Greqinë dhe Maqedoninë.
Protestuesit shprehin revoltën kundër programit të Bashkimit Evropian për zhvendosjen e refugjatëve, sepse programi në fjalë, sipas tyre, nuk ekziston ose në të kundërt, përmban një procedurë të gjatë dhe të pamundur për refugjatët. Një nga protestuesit tha se nuk duan të largohen nga Idomeni dhe do të presin në këto kushte të mjerueshme për jetesë deri sa Evropa t’ua mundësojë hapjen e kufijve që të vazhdojnë udhëtimin e tyre.
Sipas tyre, nëse largohen nga Idomeni, Evropa do t’i harrojë ata. Kreu i UNHCR-së në Selanik, Marco Buono deklaroi se kampi në Idomeni nuk kapacitete për t’u përballur me një numër aq të madh refugjatësh dhe për këtë arsye refugjatët në mënyra dhe për arsye të ndryshme organizojnë protesta.
Sipas tij, e vetmja mënyrë për t’u përmirësuar gjendja në Idomeni është që refugjatët të shpërndahen nëpër kampe tjera dhe të aplikojnë në programin e BE-së.
Ekipet e UNHCR-së paralajmërojnë se gjatë ditëve të ardhshme gjendja e refugjatëve në Idomeni do të përmirësohet. Ata njoftojnë se do të shtohet numri i organizatave humanitare që do të ndihmojnë refugjatët, mirëpo theksojnë se e vetmja mënyrë për zgjidhjen e kësaj çështje është programi i BE-së për zhvendosjen e refugjatëve.