Lajmet e fundit

Në kryeqytetin e Shqipërisë ka filluar mbrëmë edicioni i 14-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë , ku janë 160 filma në konkurrim nga vende të ndryshme të botës.
Hapja e festivalit është bërë me anë të një ceremonie në Tiranë, ku merrnin pjesë personalitet të artit, përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, aktorë, producentë të filmave, kritikë të artit, etj.
Janë gjithsej 160 filma që janë në konkurrim të përzgjedhur nga Shqipëria, Kosova, Greqia, Maqedonia, Serbia, Bullgaria, Mali i Zi dhe vende të tjera të botës.
Sivjet, për herë të parë, si pjesë e këtij evenimenti që mbështetet nga Ministria e Kulturës do të organizohet në Tiranë TIFForum, një aktivitet rajonal për të nxitur prodhimin kinematografik në Shqipëri dhe bashkëprodhimet në rajon.
Të gjithë filmat që do të shfaqen në TIFF 2016 janë premiera kombëtare e disa prej tyre edhe premiera rajonale, evropiane e botërore.
Sipas organizatorëve, shtatë juri ndërkombëtare të formuara nga regjisorë, skenaristë, producentë, distributorë, kritikë filmi, gazetarë, do të vlerësojnë filmat në konkurrim për çmimet.
Edicioni i 14-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë do të mbyllet më 11 nëntor me një ceremoni ku do të shpallen edhe çmimet për filmat konkurrues, raporton Anadolu Agency, transmeton Klan Kosova.