Misionit të EULEX-it në Kosovë rrezikohet të mos i vazhdohet mandati në afatin e paraparë pasi që Qeveria e Kosovës dhe zyrtarët e Bashkimit Europianë nuk kanë gjetur pajtim të plotë për modalitet e vazhdimit të misionit, njofton Klan Kosova.
Burime të mirëbesuara të Klan Kosovës kanë treguar se negociatat mes dy palëve janë shumë të vështira dhe ka disa mospajtime.
Por, në këto pozicione të kundërta pika që i dallon thellësisht është hapja e rasteve të reja të misionit dhe pozicioni rigid i dy palëve, që po rrezikon lënien e EULEX-it pa mandat të rregullt qysh nga dita e nesërme.
Klan Kosova mëson se qëndrimi i palës kosovare është që EULEX të vazhdojë në kompetenca të njëjta, mirëpo të mos hap raste të reja.
Ndërsa, nga ana tjetër, pozicioni i Bashkimit Europian është i çartë se në mandatin e ri dy vjeçar EULEX-i duhet të ketë kompetenca për të hapur edhe raste të tjera për krime të rënda.
Nëse qëndrimet nuk lëvizin, atëherë ky mospajtim do të përcillej me pasoja politike shumë të mëdha për Kosovën.
Kjo nënkupton edhe një stagnim në rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Europian.
Jashtë kësaj, deputetët e pozitës janë në pritje të ftesave për të proceduar në seancën e jashtëzakonshme, porse tek koalicioni ekziston frikë se a i kanë votat e mjaftueshme për ta ratifikuar vazhdimin e marrëveshjes.
Kjo, për arsye se zëra brenda Partisë Demokratike të Kosovës po e kundërshtojnë votimin për vazhdim mandati dhe ratifikim të kësaj marrëveshje, derisa në Lidhjen Demokratike të Kosovës ka pajtim unanim.
Sa i përket Listës Serbe ende nuk dihet se çfarë qëndrimi do të mbajë dhe a do të ketë kushte të reja për votim.
Frika se votat nuk janë shtohet kur dihet se disa deputetë tashmë gjenden jashtë Kosovës.
Ndërsa nga Opozita, asnjë nga tri partitë – Lëvizja Vetëvendosje, Nisma për Kosovën dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – nuk do ta votojnë marrëveshjen – gjithmonë nëse ajo procedohet për Kuvend – për arsye të ndryshme.
Derisa AAK e Nisma si pasojë e një vendim të mëhershme nuk do të jenë në Kuvend fare, përkundër se AAK-ja e ka quajtur vazhdimin e misionit të EULEX-it një “të keqe të domosdoshme”, qëndrimi i Vetëvendosjes qysh moti është i prerë.
“EULEX-it nuk duhet t’i zgjatet jeta sepse prania e tij nuk mund të jetë e dobishme në asnjë rrethanë”, ka thënë për Klan Kosovën, zëdhënësi i Vetëvendosjes Adonis Tahiri.
Megjithatë ai ka deklaruar se pos që votojnë kundër, procesin e votimit nuk do ta bllokojnë.
klankosova.tv