Lajmet e fundit

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, në një tryezë diskutimi për raportin e Bankës Botërore lidhur me mundësitë e të bërit biznes në Kosovë, ndër të tjera, ka thënë se nga viti i tjetër edhe miellit do t'i vihen banderola, njofton Klan Kosova.
"Bashkëpunimi mes ministrive dhe bizneseve ka bërë që raporti i Bankës Botërore të flasë për sukseset e Kosovës. Kemi arritur po ashtu të zvogëlojmë koston e eksport-importeve dhe funksionalizimin e korridorit Kosovë - Shqipëri". "Nga viti i ardhshëm do të kemi banderola edhe në miell, pas propozimit të Odës Ekonomike të Kosovës".
Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka deklaruar se Kosova ka shënuar hapa përpara në përmirësimin e klimës së biznesve, por që duhet punuar edhe më, në mënyrë që vendi ta përmirësojë nivelin ekonomik.
"Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim është treguar profitabile për bizneset, por për të pasur efekte maksimale duhet ta kemi edhe liberalizimin e vizave, në mënyrë që bizneset të kenë qasje më të lehtë dhe sukses më të madh. Raporti i të Bërit Biznes e ka nxjerrë Kosovën me përparime, por ne duhet që t'i përshpejtojmë ende proceset integruese për vendin".
Ndërsa ministrja e Tregëtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka përmendur sfidat me të cilat është përballur në punën drejt përmirësimit të ambientit të të bërit biznes, dhe ato me të cilat vazhdon të përballet ende.
"Raporti i Bankës Botërore tregon që Kosova është ambient ku është e lehtë të bëhet biznes. Përmirësimi i këtij ambienti është një nga prioritetet e qeverisë, dhe në këtë rrafsh jemi ngritur për gjashtë pozita në renditjen e përgjithshme. Është shkurtuar koha e regjistrimtit të biznesit, por energjia vazhdon të jetë problem. Në marrjen e kredive nuk kemi treguar sukses dhe mbrojtja e investitorëve të vegjël duhet të përmirësohet". /klankosova.tv