Lajmet e fundit
Numri një i Shtëpisë së Bardhë ka qenë kritik për mënyrën se si është drejtuar Amerika deri sot, duke premtuar se do ta bëjë kthesën, për t'ua kthyer atë amerikanëve

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, në fjalimin pas betimit, ka thënë se nga sot gjithcka në veprimet e administratës së tij do të niset nga sllogani "Së pari Amerika".
Ai ka deklaruar se do të ndalë krimin, degradimin ekonomik dhe radikalizmin islamik që po cënojnë përparimin e Amerikës, njofton Klan Kosova.
"Krimi, bandat dhe droga kanë marrë shumë jetë dhe i kanë humbur shumë potencial këtij vendi. Kjo merr fund këtu, tani".
"Ne jemi një komb dhe ëndrrat e tyre janë tonat, suksesi i tyre është i yni. Ne kemi një zemër, një shtëpi dhe një të ardhme të ndritur".
Trump ka premtuar se do të investojë në ushtri dhe infrastrukturë, do të hapë vende të reja të punës, në Amerikë, për amerikanët.
"Për shumë vjet industria dhe ushtria jonë nuk janë zhvilluar, në raport me ato të vendeve tjera. Kemi harxhuar triliona dollarë jashtë, ndërsa infrastruktura jonë është si mos më keq. I kemi pasuruar vendet tjera, me kosto tonë".
"Por kjo ëshët e shkuara. Tani ne shohim vetëm përpara. Nga sot një vizion i ri do të qeverisë shtetin tonë. Nga sot "Së pari Amerika". Secili vendim do të bëhet në të mirë të punëtorëve dhe familjeve amerikane".
"Unë do të luftoj për ju deri në frymën e fundit dhe kurrë s'do të ju zhgënjej. Do t'i kthejmë vendet e punës, pasuritë dhe ëndrrat tona. Do të ndërtojmë rrugë, ura, aerporte, tunele dhe linja hekurudhore kudo".
Presidenti i ShBA-së më tutje ka theksuar se kështu Amerika do të jetë shembull për të gjithë, njofton Klan Kosova.
"Ne do të jemi shembull për të gjithë. Do të përforcojmë të gjitha miqësitë dhe të krijojmë të reja, dhe do ta zhdukim radikalizmin islamik nga faqja e dheut".
"Kur Amerika është e bashkuar, është e pandalshme". /klankosova.tv