Lajmet e fundit

Shpërthimi i një bombole gazi dje gjatë ditës në rrugën “Don Bosko” në Tiranë ka lënë të lënduar 20 persona.
Pos lëndimeve në njerëz, raportohet edhe për katër biznese të shkatërruara tërësisht dhe dhjetëra banesa të dëmtuar.
Persona të gjakosur, të djegur dhe të gjymtuar për minuta të tëra kanë qëndruar në rrugë në pritje të ambulancave, të cilat kanë vonuar për të mbërritur në vendngjarje, raporton Top Channel.
Madje, vetë të plagosurit janë detyruar të telefonojnë të afërmit e tyre për të kërkuar ndihmë për t’i transportuar në spital.
Strukturat e policisë, edhe pse kanë mbërritur përpara ambulancave, përballë një situatë të tillë janë gjendur të papërgatitur për të menaxhuar emergjencën, duke transferuar të plagosurit sa nga njëra makinë në tjetrën.
Nga hetimet paraprake dyshohet se gjithçka ka nisur nga dyqani i shitjes së bombolave të gazit, në pronësi të Hamza Hykës. Dyqani, jo më shumë se 10 metra katror, siç ndodh rëndom, ishte i vendosur në katin e parë të një pallati dhe ngjitur me të, tre biznese të cilat si pasojë e shpërthimit kanë pësuar dëme të shumta.
Ndërkaq, 20 persona të plagosur janë dërguar në Spitalin e Traumës dhe në Repartin e Djegieve në QSUT, ku kanë marrë ndihmën e parë, ndërsa të tjerë i janë nënshtruar dhe ndërhyrjeve kirurgjikale. Gjashtë nga të plagosurit raportohet se janë në gjendje më të rëndë si pasojë e plagëve të marra, por fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën.