Lajmet e fundit

Shefi i Zyrës së Sllovakisë në Kosovës, Lubomir Batary ka thënë se Kosova ka perspektivë evropiane por do të varet nga suksesi i implementimit të MSA-së.
Ai këtë e tha në Diskutimin Publik me temë “Progresi në Zbatimin e MSA-së: Sfidat në Agjendën Evropiane dhe Reformat në Sundimin e Ligjit”, të organizuar nga Komisioni parlamentar për Integrime Evropiane dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike, njofton Klan Kosova.
“Dëshiroj t’ju përgëzoj për këtë iniciativë që vie nga komisioni parlamentar dhe shoqëria civile. Konkludimi i MSA është një nga rezultatet që Kosova ka arritur, por ky është fillimi i implementimit dhe kërkohen hapa të ri. Kosova ka perspektivë evropiane por do të varet nga suksesi i implementimit të MSA-së”.
“Përvoja tregon se MSA sjell shumë investime, administratë më të mirë, kërkon punë nga të gjitha palët me interes. Roli i kuvendit është jashtëzakonisht i rëndësishëm kur është fjala për legjislacionin, dhe mbikëqyrjen e zbatimit”, ka thënë ai.
Batary më tutje ka thënë se BE dhe Sllovakia do ta përkrahin Kosovën në këtë proces.
“BE dhe Sllovakia do të përkrahin Kosovën në këtë proces. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë përvojën tonë”.
Batary shtoi se më 9 nëntor Komisioni Evropian do ta paraqes pakon e zgjerimit dhe aty do të flitet edhe për zbatimin e MSA-së.