18.06.2016 · përditësuar para 3696 dite1 min lexim
Si lajmërimet për njerëzit e rrezikshëm në perëndimin e egër, ashtu është shpalosur një lajmërim edhe për kryetarin e Mitrovicës Agim Bahtiri sot gjatë ditës në Mitrovicë.
Iniciativa Qytetare për Veprim me një aksion simbolik e ka shpallur sot Bahtirin të zhdukur dhe i kanë kërkuar që të shfaqet, për të dhënë llogari për premtimet që sipas tyre Bahtiri nuk i mbajti.
Sipas kësaj organizate Bahtiri duhet të japë dorëheqje, sepse dështoi të realizonte edhe premtimin e tij më të madh.
“Kryetari i Mitrovicës në mënyrë të vazhdueshme ka dhënë premtime që nëse nuk largohet barrikada mbi lumin Ibër deri më 15 qershor 2016 ai do të japë dorëheqje. Prandaj, ne sot kërkojmë nga ai që ta mbaj fjalën dhe të japë dorëheqje”, kanë thënë nga IQV-ja.
Sikur të mos mjaftonin akuzat e IQV-së, Bahtiri sot ka qenë në thumb të kritikave edhe nga Partia Demokratike e Kosovës, dega në Mitrovicë.
Ata e kanë akuzuar atë, si fajtori kryesor, bashkë me Kryeministrin Isa Mustafa, për gjendjen e rëndë në Mitrovicë.
Por, i pari i Mitrovicës e ka ndërmend të shfaqet, veçse javën tjetër, jo më herët.
I pyetur për këto akuza nga Klan Kosova, Bahtiri deklaroi se për gjithçka do të sqarohet javën e ardhshme, ndërsa ka siguruar edhe njëherë se kufijtë administrativë të Mitrovicës nuk do të ndryshojnë.
klankosova.tv
●●●
Shpërndaje këtë artikull
L
SHKRIMI NGA
L
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.