Ballkani insistoi disa herë për ta blerë kartonin e tij. Këtë verë e arriti qëllimin, duke e transferuar në Suharekë.
Megjithatë Sunday Adetunji nuk e nisi aspak mbarë me kampionët e Kosovës.
Që në debutimin e tij, në duelin e kthimit me Santa Coloman e Andorrës, sulmuesi nigerian në minutën e 38 u ndëshkua me karton të kuq, duke krijuar boshllëk në pjesën ofanzive të skuadrës. Disfata në atë ballafaqim, ia ndërpreu "Xhebrailave" rrugëtimin në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, njëkohësisht ia pamundësoi edhe arkëtimin e goxha parave, raporton Klankosova.tv.
Meqenëse komisioni disiplinor i UEFA-s, konsideroi se ishte e qëllimshme goditja me bërryl që 9-shi i i Ballkanit ia bëri kundërshtarit, lojtari u dënua me tre ndeshje moslojë. Mungoi në dy ballafaqimet me Hamrun Spartans, sikurse edhe në ndeshjen e parë ndaj Larnes, e të cilën suharekasit e humbën në "Fadil Vokrri" 0-1.
E pikërisht në përballjen "jetë a vdekje" që kampioni i trefishtë i Kosovës e zhvillon në Irlandë të Veriut, skadon pezullimi i Adetunjit, i cili pritet të jetë titullar në udhëtim te Larne.
Duke qenë se kalimi i Santa Colomas, në minimum do t'ia siguronte Ballkanit fazën PlayOff në Conference League, finalen eliminatore ekipi nga Suhareka tani mund ta sigurojë nëse i mposhtë irlandezo-verioret në Belfast, me dy gola dallim, njofton Klankosova.tv
Nëse trajneri Ilir Daja e vendos startues, a do të kthehet në hero sulmuesi nigerian, nga fytyra tragjike e asaj ndeshje ku u "skuq", kuptohet të enjten më 15 gusht. Kjo ndeshje nis në ora 21:00.
●●●
KRSHKRIMI NGA
kushtrim reshitaj
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.