Lajmet e fundit

Babai i Neymar-it, i ka mohuar të gjitha thashethemet se djali i tij ka filluar bisedimet me përfaqësues të Real Madrid’it në ceremoninë e Ballon d’Or.
Mediat spanjolle raportuan se ylli Barcelonës, së bashku me babain e tij dhe agjentin Wagner Ribeiro, janë takuar me një numër pjesëtarësh të hierarkisë së Madrisit në Cyrih, para se Lionel Messit t’i ndahej çmimi i pestë Ballon d’Or.
Por babai i Neymar i ka mohuar të gjitha këto spekulime, duke folur për Mundo Deportivo ku tha se: “Takimi me Madridin është një shpikje qesharake”.
“Ne të gjithë ishim në të njëjtin hotel, zyrtarët e lojtarët e Barcelonës e edhe ata të Madrid-it. U përshëndetëm më të gjithë, por takimi është një shpifje”.
Ai gjithashtu i ka mohuar fjalët se Riveiro, apo kushdo tjetër e ka fuqinë që të negociojë për djalin e tij.
“Unë jam i vetmi përfaqësues i Neymar-it dhe i vetmi person që mund të negocioj për të. Unë dhe askush tjetër”.
Është raportuar shpesh se Neymar mund të jetë emri i ri që i shtohet Madridit dhe Manchester United, mirëpo babai i tij beson se ai do të mbetet ende në Barcelonë.
“Kemi kontratë me Barcelonën deri në vitin 2019”, ka theksuar ai. “Neymar është i lumtur këtu dhe është i vullnetshëm që ta vazhdojë kontratën në fund të këtij sezoni”.