Në hapësirën e Interex-American Retail Center në Pejë, një copëz nga thesari artistik i Nexhmije Pagarushës, u jetësua mbrëmjen e kaluar në Pejë në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Operës Rame Lahaj.
Magjinë e këngës shqipe e sollën para audiencës pejane artistë si Gala El Hadidi, Edona Reshitaj, Adhurim Grezda, A R B Ë R E S H Ë, të shoqëruar nga Gent Rushi Group.
Kjo mbrëmje rrëzë bjeshkës siç edhe motoja e këtij edicioni të festivalit “Ëndrra pa kufi, Opera pa mure” solli emocione të veçanta tek publiku i cili u bashkua njëzëri me artistët gjatë perfomancës së tyre.
Mezzosopranoja egjiptiane Gala El Hadidi interpretoi për herë të parë në gjuhën shqipe, duke sjellë me ndjeshmëri dhe elegancë disa nga kryeveprat e Nexhmije Pagarushës. Atmosferës së mbrëmjes i shtoi hijeshi edhe interpretimi i Edona Reshitajt, në bashkëpunim me grupin e instrumentistëve “Gent Rushi Group”, të cilët sollën tingujt e njohur të këngëve të dashura shqiptare. Emocione dhe nostalgji përcolli edhe Adhurim Grezda me interpretimin e këngëve ikonike të Nexhmije Pagarushës. Një energji të re solli këngëtarja A R B Ë R E S H Ë, e cila me prezencën e saj në skenë ndërthurte mjeshtërisht elementet tradicionale me ato moderne.
Mbrëmja e Nexhmije Pagarushës, sonte me 25 korrik ju mirëpret në Mitrovicë nga ora 20:00 në pikën kryesore të Interex.
Festivali Ndërkombëtar i Operës Rame Lahaj, do të vazhdojë me mbrëmjet kushtuar muzikës klasike e operistike deri me datën 2 gusht, ku do të finalizohet me Mbrëmjen Gala "Rame Lahaj & Friends" në sheshin Skënderbeu në Prishtinë.

●●●
GSHKRIMI NGA
G.U
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.