Lajmet e fundit

Anëtarët e NATO-s të enjten, me 19 maj, në një takim në Bruksel do të nënshkruajnë protokollin për pranimin e Malit të Zi në aleancën Veri-atlantike. Kryeministri malazez Milo Gjukanoviç ka shkuar në Bruksel me ftesë të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg për të marrë pjesë në nënshkrimin formal të Protokollit të Pranimit njofton REL transmeton Klan Kosova.
Pas nënshkrimit të protokollit, Gjukanoviç si përfaqësues i Malit të Zi, për herë të parë do të marrë pjesë në mbledhjet e punës të NATO-s, në të cilën ata do të diskutojnë sfidat aktuale të sigurisë. Koordinatori Kombëtar i Malit të Zi në NATO, Vesko Garčević tha se nënshkrimi i protokollit hap fazën finale të anëtarësimit në NATO. Protokolli duhet të ratifikohet nga parlamentet e 28 vendeve anëtare të Aleancës dhe Parlamentit të Malit të Zi, transmeton KlanKosova.
Nënshkrimi i protokollit lejon Malin e Zi të marrë pjesë në punën e të gjitha organeve të NATO-s në nivel të Ministrave të Jashtëm të shtetit. Mali i Zi më 2 dhjetor të vitit të kaluar ka marr ftesë për t'u bashkuar në NATO.