Lajmet e fundit

Bashkësia Islame e Kosovës ka ftuar qytetarët që t'u përgjigjen thirrjeve të Qeverisë për t'u vaksinuar.
Përmes një postimi në Facebook, BIK-u ka shkruar se të premten i fton qytetarët të marrin pjesë në ligjërata që do t'u kushtohen vaksinimit, ligjërata këto që do të mbahen në xhamitë e Kosovës.
"Në kuadër të ligjëratës së ditës së xhuma (dt.23.07.2021) ftojmë që t'i bëhet thirrje xhematit (dhe nëpërmes tyre familjarëve të tyre) që t'i përgjigjen thirrjes së Qeverisë së Kosovës për vaksinim kundër virusit Covid 19, si dhe si masë parandaluese kundër infektimit me variantin e ri të koronavirusit, të ashtuquajtur varianti indian Delta, i cili paraqet rrezikshmëri shumë më të lartë për shëndetin se sa ai aktual", thuhet në njoftimin e Bashkësisë Islame të Kosovës në Facebook.
Deri sot në Kosovë janë vaksinuar mbi 333 mijë qytetarë me dozën e parë të vaksinave, ndërkaq me të dytën janë vaksinuar gati 100 mijë, transmeton Klankosova.tv.