Lajmet e fundit

Partia Demokratike e Kosovës është duke vazhduar takimet me anëtarësinë e saj nëpër komuna.
Në vazhdën e këtyre takimeve sot zyrtarët më të lartë të kësaj partie janë takuar me anëtarët e saj në Kaçanik - me rastin edhe të 16 vjetorit të themelimit të kësaj dege të PDK-së, njofton Klan Kosova.
Me këtë rast, zëdhënësi i degës së AAK-së në këtë komunë, Qazim Ademi ka thënë se kanë vendosur që si grupim t'i bashkohen PDK-së.
Vetëm sot Ademi tha se kanë marrë rreth 50 libreza të anëtarësisë.
Të aderuarit i ka përshëndetur dhe falënderuar edhe zëvendëskryetari i PDK-së, njëherësh kryetar i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, që ka thënë se sukseset e kësaj partie në Kaçanik nuk do të ndalen sikur edhe fuqizimi i partisë në gjithë Kosovën.
Veseli ka folur edhe për krizën politike në vend, duke theksuar se PDK është parti që e sheh dialogun si zgjidhe, ndërsa ka ftuar opozitën që të ulet për të dialoguar.
Ndërsa lideri i PDK-së, Hashim Thaçi ka thënë se partia që drejton i ka dhënë fuqi dhe drejtim të duhur politik qeverisjes në vend.
Ai ka përmendur kohët kur subjekti i tij ka qëndruar në opozitë, por ka punuar për interesa të shtetit dhe ka respektuar gjithmonë rezultatin e zgjedhjeve.