Lajmet e fundit

Pesë persona me probleme alergjike kanë marrë trajtim mjekësor në urgjencën e spitalit të Durrësit ,pas pas shenjave të helmimit që shfaqën pas incidentit të ndodhur mbrëmë në aktivitetin e Partisë Demokratike. 3 prej të prekurve nga lënda misterioze kanë qëndruar gjatë gjithë natës në urgjencën e spitalit të Durrësit dhe në mëngjes janë larguar. Sipas mjekut në shërbim në urgjencën e Spitalit të Durrësit, Gjergji Qerimi,të gjithë personat e paraqitur me probleme të tilla si lotike sysh, skuqje lëkure apo simptoma të tjera, pasi trajtimit në repartin e urgjencës tashmë janë larguar nga spitali për të vazhduar kurimin në shtëpi sipas recetës me medikamente të këshilluara nga mjeku.
Nuk dihen shkaqet që shkaktuan këtë gjendje te personat që u prekën, por mjeku Qerimi shprehet se këto shenja tregojnë se personat mund të jenë prekur nga lëndë të caktuara që shkaktojnë forma alergjike. Ndërkohë ,një prej pjesëmarrësve nga Durrësi në protestën e Tiranës, Aqif Kacmoli, është shprehur se të gjithë personat nga Durrësi dhe të tjerë që u prekën kanë qenë në radhët e para të mitingut dhe shenjat i kanë pasur vetëm disa orë pas tubimit. Sipas tij nuk është dëgjuar asnjë zhurmë dhe nuk është parë asnjë tymuese që të ketë shkaktuar këtë incident. Sipas tij mund të ketë qenë ndonjë lëndë pluhur që mund të jetë hedhur në rreshtat e parë apo dhe në tribunë ,për të siguruar një përhapje më të madhe te njerëzit. Ndërkohë,është rritur numri i pacientëve që janë paraqitur për të marrë ndihmën e parë në spital, pas shenjave të helmimit që shfaqën pas incidentit të ndodhur mbrëmë në aktivitetin e Partisë Demokratike.
Në një njoftim zyrtar për shtyp, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se deri më tani nga shërbimi i urgjencës së okulistikës në QSUT, raportohet se janë 140 raste të paraqitura për të marrë ndihmën e parë, ku midis tyre 14 pacientë janë shtruar (deri në orën 16:00). Aktualisht në shërbimin e okulistikës në QSUT, po marrin shërbim 7 pacientë. Gjendja e tyre është e stabilizuar por mosnjohja e agjentit shkaktar ka imponuar monitorimin nga afër të tyre për ndonjë komplikacion të mundshëm, sqaron MSH. Edhe pacientët që janë paraqitur më vonë shprehin të njëjtat shenja klinike, të një intoksikacioni (helmimi), si: skuqje të syve, dhimbje të syve, marramendje, të vjella, turbullim shikimi, skuqje në zonat e fytyrës dhe qafës, marrje fryme. Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se pas komunikimeve me spitalet rajonale dhe qendrat shëndetësore në vend, raportohet se në Elbasan janë paraqitur 4 raste me suspekt konjuktivit, si dhe në spitalin rajonal të Durrësit, 5 raste me të njëjtën diagnozë./shekulli