Lajmet e fundit

Richard Deming
Ç’i ndodh të rëndomtës kur kalon nëpër art?
Po, mendoj që është një pyetje shumë e mirë. Mendoj që për disa artistë e transformon sensin tonë se çfarë është e rëndomta, se çfarë mund të shihet si e rëndomtë dhe se çfarë nganjëherë mund të shihet si diçka magjike. Por mendoj që për artistë të tjerë, le të themi për Andy Warholin apo disa nga artistët të cilët i ndjek, ajo çfarë shohim është një botë që ka kapacitet për kuptim të cilin në rrethana tjera nuk do ta vinim re. Andaj ajo që ndodh është që e rëndomta mbetet e ashtu e njëjtë si është, por tash jemi ne që e ndryshojmë raportin tonë me të.
Pse familjarizimi me të rëndomtën nuk e inkurajon”zhytjen” në të?
Mendoj që ajo që ndodh është që ne e humbim kapacitetin tonë për ta parë. Dhe nuk mund ta regjistrojmë informacionin e të rëndomtës. Jemi aq të mësuar me të saqë as që e vëmë re. Mendoj që e kam një shembull të mirë. Ishte një natë që unë punova në sistemimin e produkteve në raftet e një supermarketi. Puna ime ishte që t’i vija kanaçet në rafte dhe të sigurohesha që etiketat e kanaçeve të shfaqeshin përpara në rafte. Pastaj puna në supermarket nuk dukej që të ishte një punë e komplikuar.
Pas tetë orësh, arrita në shtëpi dhe ishte ora diku ora një e mëngjesit, hapa frigoriferin për të ngrënë diçka dhe pashë të gjitha etiketat e artikujve në frigorifer, dhe përnjëherë të gjitha ato informacione po më përplaseshin në sy. E veç një ditë më parë mund ta hapja frigoriferin dhe të vija re vetëm atë që më nevojitej – dua qumësht, oh ja ku qenka. Por kjo kishte ngjarë për shkak se e kisha fokusuar vëmendjen time për tërë ato orë në ato etiketa saqë nuk mund ta ndërprisja atë sens të vëmendje, dhe kjo vlen disi për gjithçka. Nëse ecni nëpër apartamentin tuaj apo nëpër shtëpinë tuaj i keni të gjitha këto gjëra që nuk i vini re përpos nëse nuk janë në vendin e vet, nëse dikush i merr, apo ndodhen në vendin e gabuar. Thjesht nuk i vini re. Pikturat në mur zhduken në mendjet tuaja sepse nuk po u kushtoni vëmendje. Ne pushojmë së kushtuari vëmendje atyre gjerave sepse kemi prirje të fokusohemi në ato që e kërkojnë vëmendjen tonë në mënyrë më urgjente dhe eksplicite.
Epifania dhe e rëndomta
Po, mendoj që në disa mënyra do të ishte si një zen budist i idesë ose të kuptuarit që ju tentoni që ta fokusoni vëmendjen tuaj asisoj saqë ka një eksplodim të të kuptuarit që vjen prej diçkaje specifike dhe pastaj kjo mund të vijë nga kudo. Andaj mendoj që është e mundur. Mendoj që është e zorshme, pasi çfarë shpesh mund të ndodhë është që të vijë një paradoks apo një kompleksitet i një përvoje apo i diçkaje që jua mundëson ta shihni në një mënyrë të re dhe mendoj që ajo që ndodh është që pikërisht aty vijnë në shprehje forcat që vihen në rend dhe që ju bëjnë ta shihni të rëndomtën sikur po e shihni për herë të parë. Por zakonisht nevojitet një çrregullim i shqisave, nuk ka nevojë që të jetë diçka vërtet e madhe apo që domosdo të konsumoni halucinogjene, por është diçka që ju bën ta përqendroni vëmendjen në një mënyrë tjetër si asnjëherë më parë. Si për shembull, Andy Warholi që rendit kanaçet e supës “Campbell” në mur një seri të pafundme, apo piktori Robert Ryman që pikturoi kanavacë pas kanavace vetëm me ngjyrë të bardhë në mënyrën që ta shohim të bardhën sikur po e shohim për herë të parë. Pra nevojitet një gjetje e mënyrës për ta tërhequr vëmendjen tonë drejt të rëndomtës.
Robert Ryman
A u shkri kufiri me artin e lartë nga kryeveprat mbi “të rëndomtën”?
Po, absolutisht mendoj që kjo është e vërtetë. Nëse flasim në përgjithësi, atëherë me shumë gjasë shumica e historisë së artit është e interesuar në një lloj të sensit të ngritur dhe të rralluar të shtyrjes së imagjinatës drejt hapësirave të reja: që t’i shihni gjërat sikur po i shihni për herë të parë, ose duke depërtuar në një pëlhurë mistike, në një pëlhurë fetare, duke e ngritur kështu lart imagjinatën tonë. Dhe mendoj që në pika të caktuara në shekullin e nëntëmbëdhjetë, e pastaj edhe më shumë në shekullin e njëzet dhe në atë njëzetenjë, ndërroi kjo ndjeshmëri dhe një gjë e tillë ngjau në poezi, ngjatu në letërsi – ku kishte një sens të tentimit për ta ngushtuar hendekun midis jetës dhe artit duke na bërë të kuptojmë që gjithçka mund të jetë në dispozicion të një përvoje estetike. Kur them përvojë estetike nuk e kam fjalën vetëm për “oh kjo qenka shumë e bukur”, “kjo kanape qenka shumë e bukur”, “ky gjeth qenka shumë i bukur”. E kam fjalën për diçka më shumë – për atë se si të gjitha gjërat janë një makinë e kuptimeve potenciale të cilat në thelb mund të na bëjnë të reflektojmë te vetja jonë, në mënyrë që ta shohim veten tonë duke e shikuar botën, dhe në këtë mënyrë lidhet një urë midis artit dhe çfarëdo forme tjetër – filozofisë, jetës, psikanalizës - të gjitha këto janë pjesë tonat dhe jo pjesë të ndara. Me fjalë të tjera, nëse nuk mund ta gjej artin, apo nëse e gjej artin në ndonjë formë tjetër që nuk mund të korrespondojë me ekzistencën time të përditshme, atëherë ato gjëra do të largohen gjithmonë prej meje – nuk do të jenë përvojë e imja dhe unë nuk do të mund ta gjej veten time dhe ta shoh botën përmes atyre formave.
Si haset e rëndomta në art – sa akt i vetëdijshëm është?
Se si i rezistojnë, mendoj që disi kjo mund të shihet ashiqare. Për shembull, kur mendon për filmat me superheronj. Këta filma nuk janë të interesuar edhe aq shumë në të rëndomtën, por nëse i këqyrni filmat e hershëm të Jim Jarmuschit apo Stan Brakhage i cili ishte një filmbërës pararojë – ata e lëshonin kamerën dhe e shënjonin në vende që ishin befasuese. I marrin parasysh krejt supozimet që i kanë për artin, për një film që është një spektakël më i madh se sa vetë jeta, por marrin gjëra shumë të rëndomta dhe i vendosin në atë hapësirë. Për shembull, Stan Brakhage dhe filmi i tij ku i lind bashkëshortja. Ai ishte njëri prej të parëve që e kishte bërë një gjë të tillë. Atij i qe dashur që të merrte leje. Mund ta realizonte një gjë të tillë vetëm në shtëpinë e tij, dhe e bëri një film për atë punë. Prandaj, kur e krahasoni atë film me disa prej filmave që u bënë në të 50-tat, periudhë kur qe bërë filmi në fjalë, atëherë kjo e nxit sensin e vëmendjes dhe të investimit në mundësitë estetike duke dëshmuar që edhe përditshmëria ka kapacitet për ta ofruar një gjë të tillë. Një gjë e tillë nuk ndodh me secilin film por është në dispozicion të filmave. Nëse e merrni komedinë e dy njerëzve duke bërë muhabet, ajo që ata po e bëjnë është që ata po marrin gjëra nga situatat të cilat i dimë dhe i përjetojmë në jetët tona dhe që jemi të familjarizuar me to, sepse ata janë njerëz sikur ne dhe na e rikujtojnë se çfarë do të thotë të jesh njeri.
"Windo Water Baby Moving" (1959), Stan Brakhage
Sa heterogjene është e rëndomta më vete?
E tejkalon imagjinatën. E rëndomta është shumë e larmishme. Pikë së pari dallon prej njeriut te njeriu. Secili prej nesh ka një mënyrë të veten të të kuptuarit, të hasjes dhe të procesimit të botës. Ekzistojnë mënyra të përbashkëta por edhe të ndryshme sepse unë nuk kam lexuar gjithçka çfarë ju keni lexuar. Nuk i kam takuar krejt njerëzit e njëjtë sikur ju dhe ju do të keni një perspektivë ndryshe, e ashtu ndryshe do ta kem edhe unë. Dhe gjëja interesante është që të gjithë ne kemi nevojë që të flasim për mënyrat se si angazhohemi me të rëndomtën sikur po e shohim për herë të parë, por ne vetëm po shohim elemente të pjesshme të saj. Mirëpo, duke folur për të, ne mund ta kemi këtë përvojë të pafundme dhe me shumë tipare të gjërave që na rrethojnë, andaj po, mendoj që është e paezaurueshme.
Njëri prej shembujve të mi më të preferuar është ai i poetit amerikan, me shumë gjasë njëri prej dy poetëve më të rëndësishëm që kanë jetuar, Walt Whitmani. Tjetra është tjetra Emily Dickinsoni. Whitmani e shkroi “Këngë vetes sime”, njëra prej poezive më të mira në krejt gjuhët, dhe ai e shkroi në anglisht dhe ajo poezi i ka 52 kanto. Është një poezi shumë e gjatë dhe ai e nis duke thënë “Mbështetem dhe qetësisht i ngarritur vrojtoj një shtizë të barit të verës”, pastaj më vonë pyet, “A ke menduar për këta hektarë, hiç?”. Dhe unë, kur u flas studentëve të mi, u them se ai e merr at fije bari dhe i shkruan 52 poezi kanto bazuar në vetëm një fije bari, dhe çfarë nëse e imagjinoni krejt barin që është në kampus, dhe kur mendoni për krejt fijet e barit që janë në qytet, çka nëse mendoni për krejt fijet e barit që ndodhen në një shtet, dhe çka nëse mendoni për krejt fijet e barit që ndodhen një vend e kështu me radhë? Dhe secila prej këtyre fijeve të barit i ngërthen së paku 52 poezi kanto, vlen pra kaq kanto, dhe është vetëm barë. Po çfarë nëse nisni të flisni për gjethet, apo nëse flisni për këpucët – pra janë tërë këto gjëra që prodhojnë pafundësisht kuptime, andaj kurrë nuk vijmë te një fund i mundësive të kuptimit.
Sa ndryshe e sa e njëjtë ka qenë e rëndomta përgjatë historisë?
Mendoj që ajo është konsistente është që realisht njerëzit që prej Heraklitit e deri te Ralph Waldo Emersoni, e deri te Wallace Stevensi, e deri te njëri prej më të preferuarve të mi, standup komiku Steven Wright, një gjë që ata duket që e kanë të përbashkët është sensi që e rëndomta është gjithmonë duke na u larguar dhe që ne jemi gjithmonë duke harruar, ne jemi duke u bërë gjithnjë e më të vetëkënaqur, pra kjo është një gjë. Kjo nënkupton që duhet të punojmë që të rizgjohemi në termet më romantike, të zgjohemi sa u përket mundësive, që të tentojmë të shohim, që të tentojmë të gjejmë mënyra të reja që të shohim, pasi që nuk është se shkoni në një vend dhe ai vend qëndron ashtu për tërë jetën tuaj, apo për tërë jetën e dikujt tjetër. Ju filloni të harroni apo aq shumë mësoheni me të saqë ju bëhet bajat, apo familjarizoheni aq shumë me të, aq sa të menduarit tuaj përhumbet.
Arsyeja tjetër mendoj që është diçka që Ralph Waldo Emersoni e ka thënë: “shpirti bëhet”. Dhe ajo të cilën ai e nënkupton dhe mendoj që kjo është e vërtetë përgjithësisht për shumicën e njerëzve që mendojnë për të rëndomtën – e vetmja gjë që nuk ndryshon është fakti që gjithçka ndryshon. Pra, gjithçka ndryshon në mënyrë konstante, dhe po ndryshon edhe tash që po flasim edhe pse e djeshmja duket e njëjtë si e sotmja aq sa mund të themi që duken të njëjta, por në realitet është ndryshe, në realitet unë jam një ditë më i vjetër, ju jeni një ditë më i vjetër, audienca juaj është një ditë me vjetër.
Gjërat kanë ndryshuar andaj kjo është një arsye tjetër se pse duhet të punojmë rreth kësaj gjëje, sepse posa arrini në një sens të të kuptuarit apo të një lloj perspektive për të rëndomtën, ju keni ndryshuar andaj ju duhet të mendoni për perspektivën e re”.
Ndodh që zgjoheni midis një qyteti në të cilin nuk keni qenë kurrë më parë, dhe shikoni përreth dhe thoni “ndërtesat po u dukkan kështu, kështu qenka”. E pastaj shëtisni dhe shkoni në skaj të qytetit dhe thoni “oh, ja ku qenka një kodër” dhe kur ngjiteni në kodër e shihni tërësisht ndryshe. Dhe kur mbërrini maje kodre, e shihni se ku qëndron qyteti në një peizazh më të gjerë, dhe kjo jua jep një sens tjetër se si ai qytet duket dhe kjo flet se si është bota. Ne vazhdimisht zgjohemi midis një qyteti dhe shkojmë te skaji i tij duke e marrë vesh atë nuk e dinim dhe duke e rikonsideruar atë që mendonim se e dinim, sepse sapo arrijmë në atë pikë ku mendojmë se i dimë të gjitha, tek atëherë e kuptojmë që ajo është vetëm pjesë e diçkaje më të madhe.
Steven Wright
Pse duket që komedia është kanali më i mirë për të rëndomtën?
Nuk e di nëse është mënyra më e mirë por gjithsesi mendoj që është një mënyrë shumë e mirë. Mendoj kështu sepse komedia brenda vetes së saj, dhe vetë komedia si komedi bazohet në befasi. E vendos një pritshmëri dhe pastaj e ndryshon atë, dhe pastaj siç thatë edhe ju më parë, e ndryshon pritshmërinë aq sa e ndërron mënyrën tuaj të të kuptuarit të gjërave. Nuk është kjo që e bën komedinë qesharake por megjithatë është në zemër të identitetit të saj. Komikët në përgjithësi kanë nevojë që të arrijnë te ai sens i surprizës, andaj e kultivojnë te vetja një aftësi për ta parë botën ndryshe prej të tjerëve dhe të mos e marrin asnjë gjë për të garantuar, dhe komikët më të mirë e lejojnë veten e tyre që të jenë metaforikë në të menduarit e tyre, andaj ata e kthejnë botën mbrapsht.
Pse zgjodhët Ashberyn, Wrightin dhe Warholin si kombinim?
Po, është një pyetje shumë e mirë. Sepse mendoj që ajo që gjithmonë po provoj ta bëj është që ta rrekem për një ide të madhe dhe dua që të përdor figura të ndryshme të cilat më mundësojnë aspekte të ndryshme për t’i parë ato figura. Andaj doja që t’i zgjedhja ata të cilët vërtet ishin të interesuar që ta mbërthejnë distancën midis artit të lartë dhe pop kulturës, apo për gjërat që ndodheshin rreth tyre dhe ta demonstronin që prej gjërave që janë të gatshme dhe ndodhen shumë afër jush ju mund të krijoni poezi shumë të mira dhe art shumë të mirë, të fuqishëm, prekës e bindës, apo interesant apo çfarëdo fjale që doni ta përdorni – termi “shumë i mirë” është i ngarkuar dhe shumëkuptimësh. Dhe doja që ta shikoja njëherë se si njerëzit përdornin metoda të ndryshme për ta realizuar një gjë të tillë. Si për shembull Ashbery u kundërvihej mënyrave të zakonshme se si e përdorim gjuhën dhe kjo ishte shumë interesante për mua. Dhe ekziston një vetmi në zemër të poezisë së Asheberit që jo gjithmonë e merr vëmendjen për të cilën doja të flisja po ashtu. Më pëlqente Steven Wrighti pjesërisht për shkak se mendoj që komedia mund ta ofrojë atë perspektivë të re por po ashtu është një mister sikletosës për mënyrën se si Steven Wrighti e sheh botën, është disi e çuditshme dhe misterioze kur e shfaqni botën ashtu si është. Andy Warholi është shumë interesant për mua sepse ai nuk i madhëron gjërat, ai nuk e bën të rëndomtën heroike. E rëndomta mbetet e rëndomtë në veprat e tij dhe mendoj që kjo është një gjë e komplikuar. Sepse shumë njerëz mund ta marrin të rëndomtën dhe t’ju tregojnë se sa romantikisht madhështore është ajo gjë – që është një gjë vërtet e fuqishme dhe një gjë magjikisht mistike. Por ajo që më ka pëlqyer te Warholi ishte që ai nuk e transformoi atë. Ai na e shfaqi neve të rëndomtën në mënyrë të vazhdueshme andaj u bë si njëfarë meditimi në të – dhe ne e shohim të rëndomtën sikur po e shohim për herë të parë, dhe ajo më shumë më dukej si formë e celebrimit të së rëndomtës.