Lajmet e fundit

Në Prishtinë po mbahet konferenca profesionale me temën: Metastazat te Kanceri i Gjirit” organizuar nga Shoqata e Onkologëve të Kosovës dhe mbështetur edhe nga Ministria e Shëndetësisë,
Kjo konferencë, po mbahet në kuadër të aktiviteteve profesionale dhe me qëllim të ndërgjegjësimit lidhur me kancerin e gjirit në kuadër të Muajit Tetor si muaj i luftës kundër kancerit të gjirit.
Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani tha se ngjarjet dhe angazhimet e këtilla nga profesionistët po kurorëzohen me rezultate konkrete, të prekshme dhe për shumë kë edhe befasuese.
Sipas tij përmes angazhimeve profesionale, po del në sipërfaqe, po fokusohet dhe po ndriçohet puna e madhe e të gjithëve në arritjen e njohurive të reja shkencore dhe profesionale ndër vite.
“Percepcioni se në shëndetësi ka përgjumje, nuk ka aktivitete edukative, ka vetëm interesa personale dhe se pacienti është jashtë çdo fokusi, tashmë ka filluar të thyhet, të demolohet dhe kundër-argumentohet me angazhimin e të gjithëve, Ministrisë, shoqatave profesionale, odave, sindikatës dhe vet mantel-bardhëve. Sepse, vetëm kështu dhe sigurt do të kthehet dinjiteti dhe reputacioni i nëpërkëmbur i profesionistëve shëndetësor”.
Kryetari i Shoqatës së Onkologëve të Kosovës, dr. Arben Bislimi, tha se në kuadër të Muajit të luftës kundër kancerit të gjirit ka zhvilluar paralelisht dy aktivitete: 9 vizita e ligjërata vetëdijesuese në komuna të Kosovës me gra së bashku me shoqatën Jeta-Vita ku është bashkëbiseduar për zbulimin e hershëm dhe konferencën profesionale me pjesëmarrje.
Dr. Curr Gjocaj, drejtor i SHSKUK-së, ka thënë se Instituti Onkologjik, ka bërë që të jetë një prej shërbimeve më të respektuara në sistemin shëndetësor në Kosovë dhe të gjithë të krenohen me të.