Lajmet e fundit

Një konsumator i frustruar ka kritikuar një kafene në Venecia që e kanë detyruar të paguajë 43 euro për vetëm dy kafe dhe dy shishe me ujë.
Juan Carlos Bustamente u shokua kur e mori faturën në kafenenë “Caffe Lavena” në sheshin “Shën Marku”. Atij i ishte llogaritur një kafe 11 euro e gjysmë ndërsa një shishe me ujë 10 euro.
Ai e ka publikuar faturën në profilin e tij në Facebook. Kjo fotografi shumë shpejt u shpërnda pa fund në Itali duke u konsideruar si “vjedhje” nga ana e lokalit.
Një punëtor nga kafeneja ka thënë se konsumatorët paguajnë më shtrenjtë nëse ulen jashtë, shkruan Daily Mail, përcjellë Klan Kosova.
“Njerëzit na injorojnë kur u themi se nëse ulen jashtë do t’iu bie të paguajnë më shtrenjtë. Po ashtu edhe në meny tregohet qartë se çmimet janë më të larta jashtë”, ka thënë ai.
Brenda në lokal një kafe kushton 1.25 euro. Arsyeja pse jashtë është më shtrenjtë është se konsumatorët mund t’i shijojnë pamjet e sheshit dhe muzikën e orkestrës.
Kjo nuk është hera e parë që ka pasur ankesa ndaj çmimeve të këtij lokali. Më 2013, një familje ishte ankuar se kishte paguar 15 euro për një akullore.