Lajmet e fundit

Nën patronatin e kryetarit të komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, sot është bërë zbulimi i shtatores së dëshmorit të kombit Artim Jashari, me rastin e 21 vjetorit të rënies së tij, tek sheshi “Artim Jashari” në qytetin e Mitrovicës,.
Në fjalën e tij kryetari i komunës, Agim Bahtiri, tha se ndihet i nderuar çdo herë kur organizohen tubime të tilla përkujtimore përmes të cilave kujtojmë kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë dëshmorët tanë në luftën dhe çlirimin e atdheut.
Poashtu, Bahtiri ftoi të gjitha institucionet qendrore dhe ato lokale që të bashkohen në mënyrë që të punojnë dhe ti ndihmojnë këtij vendi dhe popullit të saj.
Ndërsa, ministri i Financave, Bedri Hamza, theksoi se asnjëherë dhe në asnjë rast nuk ka fjalë ekuivalente që e përshkruan dhe e dëshmon veprën e heroit Artim Jashari, duke thënë se si institucione është pak çfarë bëjnë në krahasim me veprat e dëshmorëve.
Nga ana e tij, kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, tha se është i nderuar të jetë prezent në këtë ngjarje për të kujtuar veprën e Artimit.
“Artimi ka një histori të bujshme të dashurisë dhe përkushtimit ndaj atdheut, të cilën do tua përcjellim brezave të rinj”, tha ndër të tjerash kryetari Jashari.
Kurse, në emër të familjarëve foli vëllau i dëshmorit, Kastrioti, i cili falënderoi institucionet qendrore dhe ato lokale për mbështetjen e vazhdueshme ndaj familjes së tyre, dhe tha se vlerat e luftës padyshim se janë gurthemel i Kosovës dhe se përkushtimi ndaj to po ndodh edhe sot.
Në fund të këtij manifestimi u këndua edhe një këngë nga këngëtari Mahmut Ferati kushtuar dëshmorit të kombit Artim Jashari.