Lajmet e fundit
Ministri i Kulturës, Rinisë e Sportit, Kujtim Shala, ka thënë se ai do të vazhdojë të udhëheqë me këtë ministri deri në fund të mandatit. Shala tregoi për problemet e shumta që ka trashëguar, sfidat dhe planet e tij, në një intervistë për Epoka e Re.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, në një intervistë për gazetën Epoka e re ka bërë me dije se disa grupe punuese të kësaj ministrie janë duke draftuar strategji plotësuese që ta kompletojnë legjislacionin sekondar të cilin e kanë trashëguar me mangësi të shumta.
Ai ka thënë se detyrimet financiare e kanë kushtëzuar mundësinë e përkrahjes më të madhe, pasi paratë që kanë kërkuar aplikuesit në 2015-n, kjo ministri i ka pasur borxh rreth 1 milion e 350 mijë euro në 2014-n, të cilat është dashur t’i shlyejë para se të futet në borxhe të tilla.
Artefaktet e Kosovës që i ka grabitur Serbia para e gjatë luftës, ministri Shala ka thënë se nuk mund t’i zgjidhë e t’i kthejë vetëm ministria që udhëheq, por për to duhet të angazhohen edhe institucionet e tjera shtetërore të Kosovës. Shala ka treguar se këshillat e rinj që ka emëruar kanë dhënë shenja të dukshme për punë të mirë. I pyetur se deri kur do ta udhëheqë MKRS-në, Shala ka thënë se do të jetë aty derisa ta përmbushë mandatin.
“Unë dhe ekipi im synojmë t’i pavarësojmë e t’i fuqizojmë institucionet publike të nivelit nacional, t’i ndihmojmë institucionet lokale të kulturës dhe ta qartësojmë raportin me titullarët jopublikë”
“Gjatë këtij viti, po ashtu, do t’i rinovojmë Muzeun e Pavarësisë, Muzeun Etnografik, Teatrin e Gjilanit etj. Po ashtu, tani po përmbyllim procedurat që kanë të bëjnë me caktimin e lokacionit dhe do ta fillojmë ndërtimin e Teatrit të Operës dhe të Baletit, për të cilin kemi alokuar fondin që brenda këtij viti ta kryejmë studimin e fizibilitetit dhe ta shpallim konkursin për projektin e ri”.
“Do t’i ndërtojmë Muzeun e Natyrës dhe Muzeun e Arteve Bashkëkohore”, ka deklaruar Shala.
Intervista e plotë në Epoka e re.