Lajmet e fundit
Në Luginën e Preshevës jetojnë vetëm 58 mijë shqiptarë!!! Kjo shifër, që u publikua nga një komision shtetëror i Serbisë, është kundërshtuar nga përfaqësuesit e shqiptarëve, që thanë se numri i ri është për 5 mijë e 600 banorë me i vogël se ai i regjistrimit të vitit 2002. Jonuz Musliu tha se në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë nuk ka pasur sëmundje të malaries, këto 13 vjetët e fundit

Në Luginën e Preshevës jetojnë rreth 58 mijë shqiptarë.
Kjo është shifra që ka nxjerrë të mërkurën komisioni i Ministrisë për Administratë Shtetërore i Republikës së Serbisë.
Kjo shifër nuk është pranuar nga liderët politikë shqiptarë, që janë pjesë e këtij mekanizmi.
Ata kanë thënë se numri prej rreth 58 mijë shqiptarëve nuk mund të jetë real, duke qenë se është për 5 mijë e 600 më pak se shifra që e kishte nxjerrë regjistrimi i vitit 2002.
"Numri i qytetarëve është zvogëluar sikur të kishte sëmundje të malaries këtu, nga viti 2002", ka thënë kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Jonuz Musliu, njofton agjencia e lajmeve Beta, transmeton Klan Kosova.
Ai ka thënë se të gjithë e dinë cfarë nataliteti kanë shqiptarët dhe se nuk është reale që tash të ketë më pak shqiptarë në Luginë sesa kishte 13 vjet më parë.
"Kur u formua ky komision ne kemi pritur se do të dalë me vlerësime reale, por ata në mënyrë tendencioze morën numrat dhe i bënë vlerësimet vetëm sipas pronave bujqësore", ka shtuar Musliu.
Ai ka thënë se shifra prej vetëm 58 mijë shqiptarëve nuk do të pranohet ndërsa ka kërkuar që për llogari të reja të merren parasysh edhe regjistri civil i të lindurve, numri i pasaportave dhe letërnjoftimeve të lëshuara si dhe numri i nxënësve ose i njehësorëve të rrymës.
Sipas vlerësimit të komisionit në fjalë, Bujanovci ka 38 mijë e 300 banorë, Presheva 29 mijë e 600, ndërsa Medvegja 7 mijë e 442. Nga këto shifra ka dalë se 57 mijë e 595 janë shqiptarë, që është për 5 mijë e 600 më pak se më 2002.
Numri i shqiptarëve në këto tri komuna është gjetur me vlerësim, sipas një pajtimi të arritur më herët ndërmjet pushtetit qendror në Serbi dhe atij lokal në Luginë, pasi shqiptarët e patën bojkotuar regjistrimin e vitit 2011.
Komisioni i ngarkuar për të bërë vlerësimin, pos zyrtarëve republikanë, ka përfshirë në vete edhe kryetarët e tri komunave shqitpare, dy deputetët Riza Halimi e Shaip Kamberi, kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Jonuz Musliu dhe përfaqësuesit e BE-së, OSBE-së dhe ambasadës amerikane e asaj britanike në Beograd./Klan Kosova