Lajmet e fundit

Besime Rugova e kishte gjetur qenushen Maja të vetmuar në rrugët e Fushë-Kosovës.
Besimja vendosi ta mbajë atë dhe shumë shpejt Maja u bë mikja e saj më e mirë. Në ndërkohë ajo vazhdimisht kërkonte informacione në rrjetet sociale për kafshët, kur një ditë hasi në njoftim se kërkohej strehë për 2 këlyshë dhe nënën e tyre, deri sa të rregulloheshin dokumentet që qenushet të udhëtonin jashtë Kosovës.
Pa menduar shumë, ajo hapi derën e shtëpisë për to dhe kështu nisi një miqësi virtuale me gruan që i solli kafshët në shtëpinë e saj, Emina Haxhiu.
Por me kalimin e ditëve, Besimja filloi të kishte probleme në familje dhe qëndrimi i qenusheve aty u bë i pamundur.
Opsioni i parë që i shkoi në mendje asaj ishte të kërkonte ndihmën e Emina Haxhiut, që të gjente një shtëpi për Majën e saj të dashur, apo ta dërgonte edhe atë jashtë me kafshët e tjera që ajo i kishte strehuar.
Për Kiksin ajo ka rrëfyer se më 30 shtator 2022, Emina Haxhiu kishte ardhur te shtëpia e saj për t’i marrë qentë që kjo kishte strehuar dhe normalisht bashkë me të e kishte marrë edhe Majën dhe meqë, sipas saj, dokumentet nuk ishin gati, ata i vendosen në një strehimore në Vushtrri.
Se Maja ka qëndruar këtu te kjo strehimore në Vushtrri e pranon edhe pronarja e saj Selvete Manovi.
Ndërkaq, Emine Haxhiu ka pranuar për KIKS Kosovën historinë se si i mori qenushet dhe këtë tha se e bëri pas presionit të madhe të Rugovës.
Kur Besime Rugova kuptoi se Maja e saj e dashur po shëtiste nga një strehimore në tjetrën dhe nuk doli asnjëherë jashtë vendit, ajo kërkoi ta kthejë qenin e saj, por tashmë ishte vonë. Qenushja e saj e dashur kishte shkuar në një tjetër strehimore në Milloshevë.
Për çka ajo thotë se Emina Haxhiu po i kërkonte asaj 550 euro për ta marrë Majën mbrapa.
Kjo gjë e shtyri atë t’u drejtohet organeve të drejtësisë, për çka morëm përgjigje edhe nga Policia e Kosovës.
Haxhiu, e cila u kallëzua në polici nga Besimja, po insiston se kjo e fundit nuk ishte kujdesur mirë për qenushen e saj, sipas saj, e kishte lënë në të ftohtë, madje e kishte lidhur edhe me zinxhir.