Lajmet e fundit
"Edhe nëse ka njerëz adekuatë nëpër institucione, ata janë të ndikuar nga të tjerët dhe iu duhet t’i zbatojnë kërkesat apo shijet e atyre që për fat të keq nuk dinë ta gjykojnë apo vlerësojnë një vepër të mirëfilltë".

Në një intervistë për klankosova.tv, ai thotë se nëpër institucione shtetërore duhet të vijnë njerëz që e vlerësojnë artin ose të paktën të mos ndikohen nga shijet e eprorëve që nuk ia kanë idenë se si ta gjykojnë një vepër të mirëfilltë.
"Mungesën e vlerësimit të artit në Kosovë unë e kisha ndërlidhur me gjendjen materiale. Art dhe kulturë të zhvilluar ka nëpër vendet ku qëndrojnë mirë materialisht. Është zinxhir që krijon faktorë të tjerë si për shembull: Potenciali për të krijuar akademi arti, muze, galeri dhe kështu me radhë – kjo është e kushtueshme kuptohet. Sidoqoftë, vërejmë se ka një interesim të dobët; pavarësisht gjendjes ekonomike".
I pyetur se si e komenton faktin që shteti ka investuar në disa projekte që nuk kanë qenë me rëndësi të madhe për shoqërinë, kështu duke anashkaluar krijimin e hapësirave për art, Kalaveshi e cilëson këtë si mentalitet i politikanëve që vijnë nga një trashëgimi e shkëputur prej artit.
"Arti shumë vonë ka lindur tek ne. Kjo për shkak se deri në Luftën e Dytë Botërore, as që është përmendur arti pamor në Kosovë. Ne jemi më të vonuarit në rajon dhe rajoni është i vonuar në krahasim me botën perëndimore".
"Pastaj kanë lindur pionierët e artit pamor si puna e Muslim Mulliqit dhe për hir të korrektësisë, ne kemi jetuar në atë sistem [Jugosllav]. Mund ta quajmë sistem të huaj ose të imponuar, por nuk ka qenë krejt periudhë e errët - ata janë zhvilluar vet dhe pastaj ai zhvillim ka reflektuar edhe tek ne si gjeneratë më e re".
"Sigurisht se edhe tani ka shumë të talentuar; mirëpo për t’u zhvilluar një artist, nevojiten kushte dhe hapësirë. Kosova nuk e ka luksin që t’i bëjë prioritet artistët derisa gjendja ekonomike mbetet e rëndë".
"Arti është i shtrenjtë për shtresën e mesme të shoqërisë dhe kuptohet që gjithçka shkon sipas mundësive. Për dallim nga disa vende europiane ku një rrogë mesatare mund ta arrijë shumën tremijë euro; qytetari kosovar me një rrogë prej treqind eurosh vështirë se do të mund ta përballojë çmimin e një vepre arti".
Sipas tij, pa kontributin e institucioneve shtetërore dhe mbarë shoqërisë nuk mund të zhvillohet arti në përmasa të kënaqshme. Ai thotë se duhet të kihet parasysh fakti se vetëm një pjesë e artistëve mund të jetojë nga arti; ndërsa shumicës iu duhet të merren edhe me punë dytësore vetëm sa për të ekzistuar.
"Çmimi që artistët iu vendosin veprave të tyre është çështje individuale sepse secili e vlerëson punën e vet në mënyrën e vet - prandaj çmimi mbetet relativ. Një shoqëri e shëndoshë materialisht duhet të interesohet për artistë dhe të investojë në mënyrë që t’iu sigurojë atyre një hapësirë pune dhe një të ardhur për ekzistence".
Kalaveshi vlerëson se nëpër institucione duhet të vendosen njerëz adekuatë të cilët e njohin fushën e artit.
"Ne po e shohim se çfarë po ndodh me artin monumental – me skulptura – nuk kam asgjë kundër luftëtarëve, por ata do të duhej të paraqiteshin në mënyrë më të moderuar dhe jo me revole e kallashnikovë sikur në kohën e filmave Western sepse në një farë mënyre kjo është pasqyrë e popullit tonë".
"Edhe nëse ka njerëz adekuatë nëpër institucione, ata janë të ndikuar nga të tjerët dhe iu duhet t’i zbatojnë kërkesat apo shijet e atyre që për fat të keq nuk dinë ta gjykojnë apo vlerësojnë një vepër të mirëfilltë. Politika i ka futur duart në botën e artit dhe për këtë arsye kemi skulptura që ngjasojnë me kohën e perëndimit të egër, ku vetëm ai që di ta përdorë revolen më mirë vendosë për normat e shoqërisë".
Pavarësisht këtyre sfidave, piktori konsideron se artistët e rinj janë drita në fund të tunelit dhe se interneti u ofron atyre shumë mundësi për të depërtuar.
"Jam optimist sepse sot arti është globalizuar - ju mundeni tash nga këtu përmes internetit ta prezantoni veprën tuaj në New York. Ka individë që kanë depërtuar jashtë vendit dhe janë gjetur shumë mirë, por jo me ndihmën e shtetit. Sigurisht se edhe këtu ka artistë të mirë të cilëve nuk iu ka dhënë mundësia të tregohen dhe kjo varet prej nesh nëse vendosim që t’i nxjerrim në pah këta artistë ose jo".
Mjeshtri në stilin e realizmit konsideron se edhe mungesa e kritikëve të mirëfilltë të artit është faktor pengues në Kosovë sepse sipas tij, kritika është ajo që e ndez motorin e një artisti./klankosova.tv/.
klankosova.tv