Lajmet e fundit

Sot edhe zyrtarisht ka filluar fushata e korrje-shirjeve në Dardani të Komunës së Ferizajt.
Nga afër këtë fushatë e ka ndjekur edhe Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i shoqëruar edhe nga drejtori i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Burim Bajrami.
Me këtë rast, kryetari Agim Aliu, ka uruar bujqit ferizajas për fillimin e fushatës së korrje-shirjeve për vitin 2018, pavarësisht asaj që rendimente e grurit janë të pakta për shkak edhe të kushteve atmosferike që kanë mbretëruar në Komunën tonë.
“Kishim një fatkeqësi natyrore të përcjellë me të reshura të shumta, tashmë e dini se të gjitha statistikat flasin që Ferizaj, është qyteti me më së shumti të reshura në nivel të Republikës së Kosovës, por nuk ishte vetëm kjo që bëri dëme, ne kishim edhe stuhi, kishim edhe erëra të fuqishme dhe këtu përfshinë një masë mbi 60 për qind të territorit të Komunës së Ferizajt. Edhe këtu ku jemi sot, kemi pasur këtë atakim nga stuhitë dhe të reshurat dhe sigurisht se rendimentet do të jenë më të dobëta dhe ne presim që sivjet bujqit tanë të kenë rendimente deri në 16 mijë ton në Komunën e Ferizajt, që do të plotësojë 70 për qind të nevojave të konsumit të qytetarëve tanë, në një sipërfaqe prej afër 4 mijë hektarë”, ka thënë kryetari Aliu.
Fushata e korrje-shirjeve pritet të përfundojë brenda tri jave, nëse mban mot i mirë dhe pa reshje atmosferike, transmeton Klan Kosova.