Lajmet e fundit

Në mesnatë do të nisë të aplikohet marrëveshja verbale e arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë sa i përket letërnjoftimeve.
Situata në pikën kufitare të Bërnjakut momentalisht është e qetë.
Gazetari i Klan Kosovës, Haris Ademi, ka thënë se sa ishin duke shkuar te kjo pikë kufitare – nga fshati Çabër deri në Bërnjak - kanë hasur në dy pika patrulluese të KFOR-it të cilat janë vendosur aty që të sigurojnë se çdo gjë është nën kontroll.
Ai ka raportuar edhe për tri pika patrulluese të Policisë së Kosovës, derisa në Bërnjak janë të vendosura forcat që rregullisht qëndrojnë në afërsi të kësaj pike kufitare.
Në Bërnjak ka qarkullim të vogël të veturave, në ndërkohë që gjithçka po funksionon si çdo ditë tjetër.
Sipas marrëveshjes së arritur pritet që posa të hyjë 1 shtatori pala serbe të mos i lëshojë më dokumentet shtesë për hyrje-dalje për shtetasit kosovarë, mirëpo nëse kjo nuk fillon së zbatuari atëherë edhe institucionet e Kosovës janë të gatshme të lëshojnë dokumente të tilla dhe kështu të fillojë masa e reciprocitetit për letërnjoftimet.