Lajmet e fundit

Mesditën e së shtunës në sheshin Nikolla Pashiq në Beograd u zhvillua një protestë, ku u kundërshtua vendimi i gjykatës kosovare për burgimin e Ivanoviqit.
Të pranishmëve iu drejtua avokati i tij mbrojtës, Nebojsha Vllajiq, i cili tha se ndaj këtij vendimi të rëndë do të bëjnë ankesë, dhe se shpreson që këshilli në Gjykatën e Apelit në Prishtinë do të përbëhet nga gjykatës ndërkombëtarë, transmeton Klan Kosova.
Turmës iu drejtua edhe i biri i Ivanoviqit, Zharko, i cili e lexoi letrën e të atit, në të cilën thuhej se vendimi nuk do ta thyejë në asnjë moment.
I pakënaqur nga ky vendim u shpreh edhe drejtori i qendrës nga Forumi për Marëdhënie Etnike, Dushan Janjiq, duke thënë se vendimi i gjykatës ishte i papritur, dhe se po përdoret si argument kundër qeverisë serbe dhe në përgjithësi kundër dialogut me shqiptarët, me evropianët, dhe në normalizimin e anëtarësimit.
Kjo protestë nga pjesëmarrësit është cilësuar krejtësisht spontane dhe jo politike.