Lajmet e fundit

Komuna e Gjilanit ka përkujtuar këtë të diel shtatë martirët e fshatit Lladovë, të cilët u ekzekutuan nga forcat serbe 18 vite më parë.
Për nder të tyre zyrtarët komuna kanë bërë homazhe tek lapidari i martirëve, për të vazhduar më pas në tubimin përkujtimor, në të cilin morën pjesë edhe institucione tjera, përfshirë Bashkësinë Islame, policinë, përfaqësues nga familjet e dëshmorëve dhe martirëve, sikurse edhe kampioni i botës në boks (ËBF), Erzen Rrustemi, njofton komuna, transmeton Klan Kosova.
Kryesuesja e kuvendit komunal, Valentina Rexhepi, gjatë adresimit para të pranishmëve, ka thënë se shtatë martirët e Lladovës dhe të gjithë dëshmorët dhe heronjtë e kombit ranë për të mos vdekur kurrë dhe u bënë shkas që Kosova ta fitojë lirinë.
“Dëshira e këtyre martirëve ka qenë që ne të jemi shtet i formuar dhe i suksesshëm dhe këtë besoj që po e bëjmë. Falë këtyre martirëve dhe sakrificës së mijëra dëshmorëve dhe heronjve, ne sot jetojmë të lirë. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës. Ngushëllime familjeve të të rënëve”, ka thënë Rexhepi.
Një fjalë përshëndetëse e pati edhe kampioni i botës së boks, Erzen Rrustemi, i cili tha institucionet shtetërore bashkërisht duhet të punojnë shumë për të mirën e përgjithshme, në mënyrë që këta martirë të pushojnë në paqe.
Kurse në emër të fshatit Lladovë, të pranishmit i ka falënderuar arsimtari Selim Sherifi, duke thënë se pjesëmarrja kaq masive e qytetarëve dhe institucioneve, e ka bërë këtë tubim edhe më madhështor.
Në fund është mbajtur një program i pasur kulturor-artistik, i përgatitur nga nxënësit e shkollës së Lladovës.